FMN ul parashikimet për rritjen ekonomike

20/01/2015 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur parashikimet për rritjen e ekonomisë globale për këtë vit dhe vitin e ardhshëm.

FMN tani pret që rritja të jetë 3.5 për qind këtë vit, 0.3 pikë më poshtë nga parashikimi i mëparshëm prej 3.8 për qind, që ishte bërë në tetor. Edhe rritja për vitin 2016 është reduktuar në 3.7 për qind.

Ulja e parashikimit vjen pavarësisht nxitjes masive të ekonomisë globale, të pasqyruar në rënien e çmimit të naftës, që është pozitive për shumë vende.

FMN pret kjo rënie të shoqërohet edhe me faktorë të tjerë negativë, si investimet e dobëta. Këto reduktime ulin edhe më tej parashikimet mbi rritjen ekonomike për ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim për vitet e ardhshme.

Nëse biznesi pret që të ketë një rritje më të dobët, atëherë ka më pak gjasa që ai të shesë mallra dhe shërbime dhe për rrjedhojë më pak stimuj për të investuar.

Sa i takon eurozonës, FMN pret që rimëkëmbja ekonomike të vazhdojë, por jo me hapa të fuqishëm. Parashikimet e saj për këtë zonë janë një rritje prej 1.2 për qind këtë vit dhe 1.4 për qind në 2016.

Për Bankën Qendrore Evropiane, prioriteti imediat është frenimi i deflacionit, ose rënies së çmimeve, që tani është në rrugë e sipër.

Duke folur për BBC, kryeekonomisti i FMN-së Oliveri Blanchard deklaroi se deflacioni është një element kundërshtar dhe tejet shqetësues, por siç tha ai, “nuk është puthja e vdekjes dhe nuk do ta nxjerrë rimëkëmbjen ekonomike nga binarët.

Megjithatë, ai bëri me dije se ky fenomen mund të ringjallë krizën e borxheve në eurozonë. Rënia e çmimeve është e dëmshme për debitorët pasi të ardhurat e tyre mund të bien, por shlyerja e borxhit jo.

Top Channel