Celula shqiptare në Itali, mediat: Mbahet nën vëzhgim nga policia

20/01/2015 00:00

Xhamia dhe faqet e internetit konsiderohen si mjetet kryesore për aktivitetin e rekrutimit të islamistëve ekstremistë.

Dhe falë mbajtjes nën vëzhgim të objekteve të kultit, por mbi të gjitha edhe të internetit, është zbuluar një celulë e re me persona potencialisht terroristë.

Bëhet fjalë për myslimanë shqiptarë që jetojnë në afërsi të qytetit të Sanremos dhe që po mbahen të gjithë nën kontroll nga karabinerët dhe reparti special ROS.

Ka dyshime se bëhet fjalë për 3 xhihadistë të kthyer nga zonat e luftës, ku i janë nënshtruar stërvitjeve ushtarake. Prokuroria e Xhenovës nuk jep detaje lidhur me këtë celulë shqiptare.

Ekstremizmi islamik i formuar në Ballkan evidentohet si shumë i rrezikshëm, si në rekrutimin e forcave të reja për të luftuar, po ashtu edhe për të kryer akte terroriste.

Për t’u shqetësuar për agjencitë e inteligjencës është edhe çështja e logjistikës e kësaj celule shqiptare, që ndodhet pranë kufirit me Francën.

Prandaj është duke u zhvilluar një operacion ndërkombetar për të mbajtur nën kontroll kontaktet mes xhihadistëve potencialë në Liguria dhe atyre të Francës.

Për momentin, në territorin e Italisë janë 10 shqiptarë që janë nën hetim. Mes tyre, disa kanë lindur në Kosovë.

Fenomeni i fondamentalizimit mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është tashmë vetëm çështje e hetimit të Italisë. Edhe shërbimet sekrete greke, rumune e hunageze janë në gjendje të lartë alarmi.

Top Channel