Reformat për energjinë, Bojaxhi: OSHEE duhet të shqyrtojë mundësinë e privatizimit

20/01/2015 00:00

Ish-zëvendësministri i Energjitikës dhe ish-drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi ka vlerësuar qeverinë për iniciativën e mbledhjes së borxheve, por në anën tjetër u shpreh se mungon një strategji për ta nxjerrë sistemin nga kriza.

I ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes”, zoti Bojaxhi ka shtuar se OSHEE duhet të shqyrtojë sërish mundësinë e privatizimit, total apo të pjesshëm, të menaxhimit të kompanisë dhe jo të aseteve të saj.

Ish-drejtori i KESH-it foli edhe për investimet në sektorin energjitik, si edhe për qasjen e qeverisë ndaj HEC-eve vendore.

Pandi Gjata: A është ai i duhuri aksioni i qeverisë për të mbledhur borxhet në sistemin energjetik në vend?

Gjergj Bojaxhi: Kishte ardhur kohë për një ndërgjegjësim më të madh dhe një përfshirje të madhe të klasës politike në këtë çështje. Nga këndvështrimi i shprehjes së vullnetit dhe i marrjes së pronësisë për një nismë të tillë, unë e kam mbështetur dhe e mbështes qeverinë. Ndërsa për sa i përket strategjisë së kompanisë për ta përdorur këtë vullnet të shprehur publikisht nga qeveria, në mënyrë për të krijuar diçka të qëndryeshme, ka vend për përmirësim.

Pandi Gjata: A është borxhi i vetmi problem i sistemit energjitik në vend? Si po menaxhohet OSHEE-ja pas asaj që ndodhi me CEZ-in?

Gjergj Bojaxhi: Unë mendoj që përqendrimi te pjesa e borxhit është diçka që ka qenë e nevojshme, por jo e mjaftueshme për të zgjidhur problemet e sektorit energjitik që ne kemi. Përgjegjësia për krijimin e këtij borxhi kaq të madh nuk duhet të vendoset vetëm te konsumatori. Ata që kanë abuzuar duhet të ndëshkohen, por nuk kemi parë asgjë deri tani për mënyrën sesi kompania administrohet, sesi njerëzit punësohen. Kompanitë e sektorit energjitik vazhdojnë të mbeten vatra punësimi për militantët e partive.

Pandi Gjata: Si duhet të jenë investimet në sektorin energjitik? Qeveria është shprehur se asetet janë të vjetra, shpenzimet janë të mëdha…

Gjergj Bojaxhi: Deklaratat e qeverisë, por edhe të anëtarëve të kompanisë i shoh pak të ekzagjeruara. Në këtë sektor gjatë 10 vjetëve të fundit janë investuar rreth 500 deri në 600 milionë euro, megjithëse sistemi ka shumë vende ku investimi duhet vazhduar, por në shumicën e zonave urbane linjat e tensionit të mesëm dhe të tensionit të ulët janë investuar në një masë shumë të madhe. Nevoja për vazhdimin e investimeve nuk duhet përdorur për të justifikuar dështimet që ka administrimi i kompanisë. Shoh një lloj ekzagjerimi nga ana e qeverisë, kur ata pretendojnë se po e fillojnë gjithçka nga hiçi, por kjo nuk është e vërtetë. Në të kaluarën janë bërë edhe gjëra të mira, por edhe gabime, duhet të merren gjërat e mira që janë bërë dhe të çohen më tej dhe jo të fshihet çdo gjë.

Pandi Gjata:  Problem tjetër në këtë sektor mbetet edhe importi i energjisë elektrike. Ditët e fundit në media ka patur kontestime për tenderat dhe mënyrën sesi janë zhvilluat ata. Sipas jush si duhet të garantohet importi i energjisë elektrike që ne të shmangim çmimet e larta?

Gjergj Bojaxhi: Kjo është një temë shumë teknike. Nga këndvështrimi që unë e njoh këtë fushë, në rastin më të mirë tenderat dhe blerjet e energjisë elektrike janë duke u bërë në mënyrë ineficente, në rastin më të keq janë duke u bërë edhe në mënyrë korruptive. Këtu ka shumë vend për përmirësime.

Pandi Gjata:  Po qasjen e qeverisë ndaj HEC-eve vendore si e keni parë?

Gjergj Bojaxhi: Unë kam qenë shumë kritik ndaj mënyrës sesi qeveria ekzistuese është duke trajtuar problemin e HEC-eve për dy arsye. Së pari, investimet në sektorin e energjisë elektrike janë bërë nga shteti shqiptar, me proceduara koncesioni dhe është mirë që shteti të respektojë frymën dhe gërmat e marrëveshjeve të firmosura. Nëse ne si shtet inkurajomë investitorë të huaj për të investuar në Shqipëri dhe pas një periudhe kohe duam të fillojmë gjithçka nga fillimi, kjo nuk është seriozitet, gjithashtu i tregon investitorëve që Shqipëria nuk ka besueshmëri. Nga ky këndvështrim unë shpresoj që qeveria të rishikojë mënyrën sesi e ka trajtuar këtë problem. E dyta, unë mendoj që çdo marrëveshje, përveçse duhet bërë në mënyrë bashkëpunuese me investitorët e ftuar në këtë sektor nga qeveria shqiptare, duhet që marrëveshja të jetë transparente.

Pandi Gjata:  Për ta përmbledhur bisedën, por edhe për të dhënë dy tre “receta”. Ku duhet të fokusohet strategjia për të nxjerrë nga kriza sektorin energjitik në vend? A janë matësat inteligjentë një instrument i mirë?

Gjergj Bojaxhi: Matësat inteligjent janë një vegël, nuk janë një strategji. Unë deri tani nuk kam parë asnjë strategji nga qeveria ta shpalosi publikisht. Mbledhja e borxheve është diçka shumë e mirë, por kjo është një veprim dhe nuk zgjidh problemet që ka sektori, nuk zgjidh menaxhimin e kompanisë. Unë mendoj që OSHEE duhet të shqyrtojë sërish mundësinë e privatizimit, total apo i pjesshëm, i menaxhimit të kompanisë dhe jo i aseteve të saj. Ajo që unë nuk kam vënë re deri tani është një strategji e shpalosur publikisht, ku të thuhet se sot ne jemi këtu dhe nesër do të jemi në këtë pikë, ndërsa pasnesër nuk do të kemi këtë shqetësim publik që ne kemi në ditët e sotme. Mungesa e strategjisë nuk mund të kamuflohet as me mbledhje borxhesh dhe as me matësa inteligjentë, të cilët nuk do të aplikohen për herë të parë në Shqipëri. Këta matësa janë aplikuar edhe më parë, sidomos te bizneset e mëdha. Problemi këtu është se një pjesë e madhe e popullsisë ndërhynë jashtë matësit. Unë mendoj që disa investime që po bëhen aktualisht, si Linja e Transmetimit 400 KË me Kosovën, nuk është emergjente për momentin. Aktualisht emergjencë ka përmirësimi i tensionit të mesëm dhe të ulët dhe jo ndërtimi i një autostrade të re, e cila mund të bëhet e nevojshme pas 8 apo 10 vjetësh. Linja me Kosovën kalon në një zonë arkeologjike të Komanit

Top Channel