Basha: Një opozitë edhe më e fortë

19/01/2015 00:00

Me nisjen e sesionit të ri parlamentar nga demokratët do të priten nisma të reja që synojnë, sipas kryetarit Lulzim Basha, një opozitë edhe më të fortë kundër keqqeverisjes.

Dekriminalizimi me ligj i Parlamentit dhe administratës publike është një nga betejat kryesore të Partisë Demokratike për t’u realizuar deri në fund të qershorit.

“Kryeministri Edi Rama është kujdesur të mos e tregojë fytyrën si palë nënshkruese e rezolutës. Më tej, ai ka bërë çmos që ta denigrojë atë me lloj-lloj formash e mënyrash, duke dashur t’u japë subjekteve të dekriminalizmit mesazhin se asgjë serioze nuk do të ndodhë. Rezoluta është nënshkruar nga dy palë dhe zbatimi i saj kërkon dy palë. Nuk duam të nxitohemi, nuk duam të paragjykojmë, duam të jemi bashkë në këtë betejë, duam dhe kërkojmë që shumica t’u përmbahet angazhimeve që ka marrë. Shpresojmë të mos bëjë lojë të dyfishtë, domethënë të nënshkruajë me ne letra dhe të qëndrojë përballë nesh me vepra, siç janë dhënë disa shenja. Ky do të ishte kapitullim para krimit të organizuar”, ka deklaruar Basha.

Ndryshe nga deklaratat e këtyre ditëve, përsa i përket dyshimeve të ngritura prej Partisë Demokratike për lidhje mes qeveritarëve dhe trafikantëve të laboratorit të drogës në Elbasan, zoti Basha e analizoi problemin në një këndvështrim tjetër.

“Duke pritur e inkurajuar drejtësinë, ne akuzojmë sot politikisht qeverinë, kryeministrin, strukturat përkatëse dhe ministrin e tij të Brendshëm se me polikat e tyre për rendin, me psedureformën e tyre në Policinë e Shtetit, me promovimin prej tyre të militantëve dhe klientelizmit duke larguar e dekurajuar profesionistët, me shndërrimin e Policisë së Shtetit në polici elektrike apo ndërtimore, i kanë hapur krahun krimit të organizuar që po livadhis”, ka nënvizuar Basha.

Ana tjetër e betejës së opozitës do të jetë jashtë Kuvendit, për të identifikuar dhe për të dhënë alternativa zgidhjeje për çdo padrejtësi dhe keqqeverisje të qytetarëve.

“Qeveria ka dizavantazhin e madh se është e detyruar ta prodhojë në zyrat e saj Shqipërinë e sukseseve virtuale. Ne kemi qenë, jemi e do të jemi pranë njerëzve, mes tyre për të  vërtetën. Qytet më qytet, fshat më fshat, lagje më lagje. Shqipëria reale është thirrja jonë”, ka shtuar Basha.

Top Channel