Raporti i Komitetit Shqiptar të Helsinkit: Të drejtat e njeriut, që u shkelën gjatë vitit 2014

19/01/2015 00:00

Spitalet, gjykatat, burgjet, por shpesh herë edhe familja, janë ambientet ku të drejtat tona kufizohen dhe rrezikohen më së shumti. Një raport i detajuar dhe voluminoz i Komitetit Shqiptar të Helsinkit për situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri për vitin 2014 ka evidentuar fushat më problematike, ku duhen bërë edhe ndërhyrjet më emergjente.

Vrasjet, plagosjet e dhuna në familje vijojnë të jenë në nivele të larta. Lëshimi i urdhrave të mbrojtjes, kryesisht nga dhuna në familje, mbetet shumë shqetësues, me 30% më shumë se një vit më parë. Sipas raportit, vetëm në Tiranë gjatë muajve janar-tetor të 2014-s janë paraqitur në gjykatë 700 kërkesa për urdhër mbrojtjeje. Ndërkohë që rastet e humbjes së jetëve njerëzore si pasojë e këtij fenomeni nuk kanë pësuar ulje.

Problematik mbetet edhe shërbimi shëndetësor dytësor, spitalet dhe shërbimet për sëmundjet mendore dhe shërbimi gjinekologjik i abortit, ku ndërprerjet e shtatzanive mbi bazën e preferencës gjinore të fetusit përbëjnë jo vetëm shkelje të ligjit, por dhe një fenomen social që duhet luftuar fort dhe sa më parë.

Shumë spitale dhe klinika publike të vendit janë në gjendje të mjerueshme. Ato kanë mungesë baze materiale, kushte të këqija për fjetjen e pacientëve, lagështirë nëpër ambiente, ndërsa qytetarët shpesh pretendojnë se nuk marrin shërbim mjekësor cilësor.

Situata në Gjyqësor, sipas KSHH, është një tjetër fushë që nuk ka pësuar asnjë përmirësim. Korrupsioni mbetet në nivele të larta dhe proceset gjyqësore vijojnë të zvarriten. Prishjet e ndërtimeve pa leje nga INUK kanë qenë gjithashtu në qendër të vëmendjes së raportit, ku thuhet se ka pasur pretendime qytetarësh se nuk është verifikuar më parë dokumentacioni i pronësisë.

Gjakmarrja, sipas KSHH, mbetet ende problem. Vetëm në Shkodër regjistrohen 53 familje të ngujuara, por institucionet publike nuk kanë prezantuar statistika zyrtare rreth shtrirjes së këtij fenomeni.

Top Channel