Arkeologët grekë kanë deklaruar se në varrin antik në Amfipolis të Greqisë veriore, të zbuluar disa muaj më parë, janë gjetur jo një, por pesë skelete. Varri-monument vlerësohet se i përket epokës së Aleksandrit të Madh.

Pas përfundimit të ekspertizës makroskopike të 550 mbetjeve të gjetura, të realizuar nga grupet shkencore të universiteteve “Aristotelis” të Selanikut dhe “Dimokritos” të Kretës, është arritur në përfundimin se ato u takojnë të paktën 5 personave dhe një kafshe.

Bëhet fjalë për skeletet e një gruaje, rreth 60 vjeçe, të dy burrave rreth 35-40 vjeç, një foshnje të sapolindur, një personi që duket se është djegur dhe një kali. Testet e ADN-së që pritet të përfundojnë në fund të muajit do të ofrojnë të dhëna më të hollësishme për këto skelete dhe do të konfirmojnë nëse kemi të bëjmë me një varr familjar.

Më e vështirë është proçedura për të gjetur të dhënat e personit të djegur, i cili vlerësohet se është “banori” i parë i këtij varri, pasi djegia e të vdekurve ka ndaluar si proces pas shekullit II dhe III para Krishtit.

Varri mbretëror, sipas të gjitha provave që kanë mbledhur arkeologët, është ndërtuar në nder të gruas 60-vjeçare për të cilën thuhet se mund të jetë Olimpia, nëna e Aleksandrit, ose e bijës së saj të adoptuar, Thesalonikit, që vdiq edhe ajo në të njëjtën moshë.

Dy burrat, për të cilët thuhet se mund të jenë dy nipërit e Olimpias, fëmijët e Thesalonikit, janë varrosur më vonë dhe njëri prej tyre supozohet se është vrarë.

Gjithësesi, pa pasur rezultatet përfundimtare të analizave të eshtrave të gjetura, arkeologët hezitojnë për të deklaruar se në nder të cilës figurë mbretërore është ndërtuar ky varr antik, një nga më të mëdhenjtë e epokës së Aleksandrit të Madh.

Deri tani të gjitha publikimet i referohen faktit se ky varr kaq i kushtueshem dhe unik në llojin e vet, që ka muaj që ka tërhequr vëmendjen e arkeologëve në mbarë botën, është ndërtuar nga vetë Olimpia, nëna e Aleksandrit të Madh, e cila u vra me urdhër të Kasandrit, duke u qëlluar me gurë, pas vdekjes së djalit të saj, strategut të madh të Maqedonisë.

Top Channel