Thellohet pabarazia globale, 1% e popullsisë ka 48% të pasurisë

19/01/2015 00:00

Një përqindëshi i më të pasurve të botës shumë shpejt do të ketë në duart e tij pasuri më të madhe se e gjithë pjesa tjetër e popullatës në mbarë globin.

Nga verifikimet e organizatës së bamirësisë Oxfam, pjesa e parave dhe aseteve të zotëruara prej më të kamurve vitin e kaluar shkoi në 48% nga 44% që ishte në 2009-n.

Nëse vazhdohet me këtë ritëm, deri në vitin 2016, ky 1 përqindësh do të ketë më shumë se 50% të pasurisë së të gjithë botës.

“Shkalla e pabarazisë globale është tronditëse. Ka ardhur koha që liderët tanë të shqetësohen për interesat e fuqishme që qëndrojnë në rrugën e një bote më të drejtë e më të begatë. Biznesi, si zakonisht, për elitën nuk është nje opsion pa kosto. Dështimi në zgjidhjen e pabarazisë do ta kthejë dekada të tëra mbrapa luftën kundër varfërisë nëpër botë. Të varfërit prekën dy herë më shumë nga rritja e nivelit të pabarazisë, atyre u takojnë copa gjithmonë e më të vogla të tortës ekonomike dhe përderisa pabarazia ekstreme vetë godet rritjen e ekonomisë, atëherë do të ketë edhe më pak tortë për të ndarë”, deklaroi Winnie Byanyima, drejtoreshë ekzekutive e Oxfam.

Rezultati i studimit të Oxfam përputhet me fillimin e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Mbledhja e përvitshme tërheq politikanë e liderë të biznesit nga çdo cep i globit.

Shefja e Oxfam, e cila do të jetë bashkëdrejtuese e këtij eventi, e bëri të qartë se do të kërkojë përpara pjesëmarrësve atje veprime urgjente për ngushtimin e hendekut mes të pasurve dhe të varfërve.

Në takimin e një viti më parë në Davos, Oxfam pushtoi titujt e parë të gazetave me pohimet se 85 personat më të pasur të planetit kanë të njëjtën pasuri me atë të 3.5 miliardë më të varfërve të marrë së bashku.

Top Channel