Atentat me eksploziv drejtorit të burgut të Fushë Krujës

19/01/2015 00:00

Automjeti i drejtorit të burgut të Fushë Krujës ka shpërthyer mëngjesin e së hënës teksa ndodhej në lëvizje. Shpërthimi ndodhi pak pasi Arben Sulo ishte futur me automjet në territorin e portit detar, nga hyrja numër 2 për të shkuar në vendin e punës.

Pas shpërthimit Arben Sulo ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është përplasur me një shtyllë të sinjalistikës dhe rrethimin e portit. 46-vjeçari është dëmtuar në gjymtyrët e poshtme dhe pjesën e kolonës.
Pas ndërhyrjes në Durrës, ai është dërguar drejt spitalit të traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar. Sipas drejtuesve të spitalit, Sulo është jashtë rrezikut për jetën.

Burime policore e cilësojnë ngjarjen një akt kriminal për shkak të detyrës. Hetimet janë përqendruar në këtë pistë, duke e lidhur dhe me masat e marra për vënien rregull brenda ambjenteve të burgut të Fushë Krujës, masa që duket se kanë lënë dhe të pakënaqur mes të burgosurve.
Nga shkalla e dëmtimit të mjetit rezulton se është përdorur një sasi e vogël eksplozivi për të kanosur me jetë drejtorin e burgut, një oficër karriere në radhët e policisë së Durrësit që në fillim të viteve ‘90.
Dyshohet se mjetit mund t’i jetë vendosur sasia e eksplozivit një ditë më parë, ndërsa autori ka zgjedhur ta kryejë shpërthimin e telekomanduar pak pasi automjeti tip “Opel” është futur në port, siç bënte zakonisht, për të shmangur trafikun e rënduar të mëngjesit në Durrës.

Kjo është bomba e tretë e telekomanduar që shpërthen brenda pak ditëve në zonën e Durrësit. Shënjestra e parë ishte Ardian Trota, një person me preçedentë penalë nga Kukësi që shpëtoi vetëm me disa plagë nga shpërthimi shumë i fortë.

Pas atentatit që u bë ndaj tij, ai u arrestua për shkak se kishte thyer vendimin për arrest shtëpie dhënë për vjedhje të energjisë elektrike. Të dielën pasdite rreth orës 17 e 30 minuta shpërtheu bomba e dytë në zonën e Durrësit.

Shënjestra ishte automjeti i një 37-vjeçari emigrant në Angli. Pas atentatit të parë policia nisi një seri aksionesh kontrolli dhe mbrëmjen e së shtunës njoftoi se kishte arrestuar disa persona që mbanin e përgatisnin bomba të telekomanduara për atentate.

Katër persona u arrestuan natën e së shtunës për trafik të lëndëve eksplozive, ndërsa u sekuestruan tre bomba të përbëra me lëndë eksplozive tip C4, të montuara me celular, së bashku me mjete të tjera si nastro, tela elektrikë, kaçavida, telefona celularë, etj.

Të arrestuarit janë Febjus Dauti, 31 vjeç, Dashnor Dumani 30 vjeç, Asllan dhe Bledar Plaku, përkatësisht 24 dhe 31 vjeç. Ndërsa atentatet e tjera bëheshin ndaj personave me preçedentë në të kaluarën, bomba që shpërtheu në automjetin e drejtorit të burgut të Fushë Krujës është një goditje direkte për shtetin.

Në institucionin që drejtohet nga drejtori i plagosur vuajnë dënimin emra shumë të njohur dhe të rrezikshëm të botës së krimit. Ndërkohë që hetimet e policisë për këtë atentat janë të përqendruara tek shkaqet e detyrës.

Top Channel