Obama në fjalimin e përvitshëm, në fokus çështjet e sigurisë

20/01/2015 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama do të mbajë fjalimin e përvitshëm mbi gjendjen e vendit, në një kohë kur janë rritur masat e sigurisë në Uashington dhe qytete të tjera pas sulmeve terroriste në Francë.

Zhvillimet ndërkombëtare po e detyrojnë presidentin amerikan që t’i kushtojë më shumë vëmendje çështjeve të sigurisë brenda dhe jashtë vendit.

Ceremonia madhështore e fjalimit para një sesioni të përbashkët të Kongresit vjen në një kohë kur masat e sigurisë janë forcuar në të dyja anët e Atlantikut.

Ditët e fundit ka pasur aksione policie në Belgjikë dhe Gjermani, arrestime në Greqi dhe rritje të masave të sigurisë në gjithë Evropën, të gjitha pas sulmit ndaj revistës satirike “Charlie Hebdo”.

Zhvillimet ndërkombëtare po e detyrojnë Obamën, që shpreson të punojë me një Kongres të kontrolluar nga republikanët, për një program që përfshin përparësitë e politikës së brendshme, që t’i kushtojë më shumë vëmendje çështjeve të sigurisë kombëtare e ndërkombëtare.

Në fjalimin e tij të gjashtë drejtuar kombit, shefi i Shtëpisë së Bardhe pritet t’u thotë amerikanëve se ekonomia e tyre po rimëkëmbet.

Ai shpreson që përmirësimi i ekonomisë do të ndikojë në kreditet e veta politike në një kohë kur të dyja dhomat e Kongresit kontrollohen prej republikanëve, pas triumfit të tyre në zgjedhjet e mesit të mandatit.

Kohët e fundit ka pasur një valë të dhënash inkurajuese ekonomike dhe pjesa më e madhe e amerikanëve e pranojnë se ekonomia e vendit është në formën më të mirë të saj në 8 vjet.

Top Channel