Ermal Hoxha, shtëpi me qira në Kashar

20/01/2015 00:00

Hetimet për anëtarët e grupit që ngritën një laborator kokaine në Xibrakë të Elbasanit, po përqendrohen te pasuritë e tyre.

Sasitë e mëdha të kokainës që kanë trafikuar kohët e fundit, ka ngritur dyshime se nëntë anëtarët, por edhe ata në kërkim, mund të kenë pasuri të luajtshme apo të paluajtshme në Shqipëri, teksa Prokuroria e Krimeve të Rënda u ka kërkuar bankave, hipotekave apo QKR-së, për ndonjë pasuri.

Në fokus kanë qenë drejtuesit e këtij grupi, Ilir Hyseni, Gentian Gjonaj apo Ermal Hoxha. Ky i fundit është nipi i diktatorit Enver Hoxha, ndërsa kishte dyshime të mëdha se mund të kishte shumë pasuri, duke parë edhe jetën që bënte kohët e fundit, pas martesës me këngëtaren Rezarta Shkurta. Përgjigjet e para që kanë mbërritur në prokurori kanë qenë “negative” nga hipotekat, pra të arrestuarit nuk kanë prona, ndërsa bankat kanë sjellë të dhëna se disa prej të arrestuarve kanë qarkulluar shuma të mëdha, por aktualisht llogaritë e tyre bankare janë “0”.

Në fokus të verifikimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka qenë pikërisht Ermal Hoxha. Roli i tij në këtë grup është parësor, pasi ai i shoqëronte kolumbianët nga Elbasani në Tiranë, madje shikohet edhe në brendësi të laboratorit. 40-vjeçari kujdeset që kolumbianët të shkojnë në destinacion dhe ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me kapobandën Ilir Hyseni. Këto janë provat e vetme të prokurorisë, teksa Hoxha dyshohet se mund të ketë krijuar lidhje deri në Kubë, ku qëndron rezident miku i tij, Genci Xhixha, për të cilin flitet se ka pasur kontakte me kartelet e kokainës në Amerikën Latine. Deri më tani, prokuroria thotë se janë sekuestruar rreth 20 kilogramë kokainë, që me vlerën e tregut kapin një shifër nga 1.5-2 milionë euro. Nisur nga kjo vlerë, por edhe nga kokaina e papërpunuar në Xibrakë, prokuroria ka nisur hetimin pasuror. Nga të dhënat e para, ka rezultuar se nipi i diktatorit Enevr Hoxha nuk ka ndonjë llogari të majme bankare, por vetëm disa pagesa mujore. Këto pagesa, sipas të dhënave që ka dërguar banka në prokurori, flasin për pagesën e një kredie konsumatore, që Ermali e kishte marrë për rikonstruksionin e një apartamenti. Ditën që u zhvillua operacioni, prokuroria thotë se i ka kontrolluar banesën në zonën e Unazës së Re në Tiranë, një territor që e merr Komuna Kashar. 40-vjeçari ka pohuar se banonte në këtë apartament së bashku me bashkëshorten e tij, Rezarta Shkurta, dhe vajzën e tyre. Apartamenti është marrë me qira, ndërsa gjatë kontrollit, hetuesit nuk kanë gjetur ndonjë send të kundërligjshëm. “Gjatë këqyrjes, rezultoi se Ermal Hoxha banonte në një apartament rreth 100 metra katrorë në zonën e Unazës së Re në Tiranë. Apartamenti ishte në një pallat të ri”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndërkohë, në afërsi të këtij apartamenti, bashkëshortja e Hoxhës, Rezarta, kishte ngritur një biznes, ku fotografonte foshnja të sapolindura apo nëna shtatzëna. Hetuesit thonë se do t’i kërkojnë QKR-së që të mos ndryshojnë pronarët e këtij biznesi, ndërsa do të bllokohen edhe llogaritë bankare. Ka rezultuar se edhe Rezarta ka pasur lëvizje të vogla në llogaritë e saj bankare, që nuk justifikojnë vlerën e kokainës së sekuestruar.

 

Llogaritë bankare

Hetuesit kanë marrë ditët e fundit edhe të dhënat nga hipotekat apo bankat për të arrestuarit e tjerë të operacionit “Xibraku”. Gjashtë anëtarët e këtij grupi nuk kanë ndonjë llogari të majme bankare, por vetëm xhirime të shumave të vogla. Akuza thotë se ka verifikuar pasuritë e Ilir Hysenit, Saimir Batkut, Gentian Gjonajt, teksa përgjigjja ka qenë e njëjtë për të gjithë: llogari “0”. Vetëm Gjonaj ka lëvizur shuma të mëdha parash kur kishte një biznes, por tashmë firma në fjalë është bllokuar me një vendim gjyqësor, për shkak të borxheve. Duhet theksuar se Gentian Gjonaj ka pasur një firmë së bashku me Klement Kolanecin, dhëndrin e Enver Hoxhës. Të dhënat e para që kanë shkuar në prokurori kanë qenë vetëm për të arrestuarit, ndërsa më vonë do të verifikohen edhe familjarët e tyre.

Sipas dokumenteve, mësohet se vëllezërit Kelmend dhe Arjan Dalipi, njëherazi pronarë të magazinës, rezultojnë se kanë pasur lëvizje parash në banka, por në emër të kompanive, me të cilat operojnë në qytetin e Elbasanit. Edhe këto shuma nuk e justifikojnë investimin e kryer në magazinë apo blerjen e kokainës dhe pajisjet laboratorike të prodhimit të kokainës.

Top Channel