“Snajperi” i Eastwood zapton box office në SHBA

20/01/2015 00:00

Filmi “American Sniper” ka shpartalluar rivalët në renditjen e box office, duke arkëtuar 90 milionë dollarë dhe duke shënuar njëkohësisht një rekord për sezonin e ri të filmave të hapur në janar.

Drama luftarake, me regji të Clint Eastwood, kandidon për Oscar si filmi më i mirë dhe aktori më i mirë protagonist, Bradley Cooper, që interpreton marinsin amerikan Chris Kyle.

Fillimisht, me shfaqjen e kufizuar në kinema, filmi në fjalë kishte arritur vetëm vendin e 21-të, por me zgjerimin ai u ngjit në majë duke lënë pas shumë filma të tjerë pretendentë për kryesimin e box office.

Ndërkohë, komedia e tipit aksion “The Wedding Ringer” u vendos në vendin e dytë me 21 milionë dollarë arkëtime, e ndjekur nga filmi familjar britanik “Paddington” me 19.3 milionë.

Filmi që javën e kaluar ishte në vend të parë, episodi i fundit i sagës “Taken” me Liam Neeson, ra në vendin e katërt. Kinematë amerikane kanë pasur një prani të theksuar spektatorësh gjatë pushtimt treditor për Ditën e Martin Luther King.

“Selma”, filmi me figurën historike të Shteteve të Bashkuara, i nominuar për dy çmime Oscar, u rendit në vendin e pestë. Ndërsa “The Imitation Game”, i nominuar për 8 çmime arriti të qëndronte gjithashtu në listën e 10 më të mirëve.

Top Channel