Meta: Të përshpejtohet zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit

20/01/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë vizitës në Shkup ka
kërkuar përshpejtimin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Meta ka thënë se Tirana pret rezultate të prekshme, duke kërkuar nga zyrtarët maqedonas më tepër investime në zonat shqiptare në Maqedoni, ndarje proporcionale të buxhetit shtetëror dhe përfshirje më të madhe të shqiptarëve në jetën publike, sociale dhe politike.

“Ne mbështesim përshpejtimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, mirëpresim rezultate të matshme dhe të prekshme sa më shumë në terren, duke inkurajuar pjesëmarrjen aktive dhe duke vlerësuar kontributin pozitiv të shqiptarëve në jetën publike, sociale dhe ekonomike të Maqedonisë. Në këtë kontekst e shohim edhe popullsinë shqiptare shteteformuese këtu, si një faktor tejet të rëndësishëm dhe themeltar të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në shërbim të progresit dhe të ardhmes evropiane të Maqedonisë”, u shpreh Meta.

Meta e siguroi kolegun e tij maqedonas, se Shqipëria dhe populli shqiptar e shohin stabilitetin dhe integritetin e Maqedonisë si shumë të rëndësishme për mbarëvajtjen e paqes dhe prosperitetin në gjithë rajonin. Nga ana tjetër, kryetari maqedonas i Parlamentit, Trajko Veljanovski, i ka thënë kolegut të tij shqiptar se Maqedonia është shoqëri multietnike dhe multifetare, ku të drejtat e pjesëtarëve të bashkësive entike i garanton ‘Marrëveshja e Ohrit’ dhe ka kërkuar që Shqipëria të respektojë të drejtat e pakicës maqedonase.

“Marrëveshja e Ohrit dhe implementimi i saj garantojnë respektim të ndërsjelltë dhe zhvillim të të drejtave kolektive dhe individuale të bashkësive etnike, por nuk e cënojnë karakterin unitar të vendit. Njëkohësisht presim që fqinjët tanë të respektojnë të drejtat kolektive dhe individuale të pakicave, përfshirë edhe maqedonasit që jetojnë atje”, theksoi Trajko Veljanovski, kryetar i Parlamentit të Maqedonisë.

Në takimin e përbashkët krerët e dy Kuvendeve kanë potencuar edhe nevojën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Po ashtu gjatë ditës, Meta iu drejtua edhe Kuvendit maqedonas, ku gjatë fjalës së tij para deputetëve në Shkup, ai tha se kufijtë në Ballkan nuk duhet të ndryshojnë, por të hiqen tërësisht.

“Të dashur miq, ne nuk besojmë në ndryshimin e kufijve në Ballkan, por ne besojmë plotësisht në zhbërjen e plotë të tyre, ashtu siç ka bërë edhe Bashkimi Europian, destinacioni ku dëshirojmë të jemi së bashku, dhe modeli e standardi që ne duam të aplikojmë këtu, në rajonin tonë”, ka deklaruar Ilir Meta.

Gjatë ditës, Meta është pritur edhe nga Presidenti dhe kryeministri maqedonas. Në ditën e dytë të vizitës, ai do të takojë edhe liderët shqiptarë në Maqedoni.

Top Channel