Atentati ndaj Sulojt, mblidhen krerët e policisë dhe prokurorisë. Zëvendësi i tij: Goditje kundër shtetit

20/01/2015 00:00

Menjëherë pas atentatit me lëndë plasëse, që i rrezikoi jetën drejtorit të burgut të Fushë Krujës, Arben Suloj, zyrtarë të Policisë së Shtetit kanë zhvilluar një mbledhje urgjente në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për analizimin e kësaj ngjarjeje.

Në takimin me prokurorë të çështjes dhe kryeprokurorin e Krimeve të Rënda, Eugen Beci, ishte zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për hetimin e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, Haki Çako, bashkë me drejtorin e Qarkut të Durrësit, Perlat Çullhaj.

Procedimi penal, për shpërthimin e telekomanduar në mjetin me të cilin udhëtonte Arben Suloj, është regjistruar te Krimet e Rënda për veprën e “vrasjes për shkak të detyrës, e mbetur në tentativë”. Ndërkohë që pas dhjetra shoqërimeve nuk ka ende një pistë zyrtare.

Zv.drejtori i Përgjithshëm i burgjeve tha për Top Channel se pas ngjarjes vijojnë masat e përforcuara të sigurisë në burgje, veçanërisht në burgun e Fushë Krujës, ku janë shtuar edhe forcat e policisë.

“Zoti Suloj është një njeri me integritet profesional dhe moral të lartë. Ky është një rast tipik ku krimi përpiqet të godasë shtetin, sepse në rastin konkret zoti Suloj është drejtor i një institucioni tepër të rëndësishëm, siç është burgu i Fushë Krujës, ku vuajnë dënimet rreth 350 të dënuar, e ku pjesa më e madhe e tyre konsiderohen të izoluar në një burg të sigurisë së lartë”, shprehet Bledar Skënderi.

Arben Suloj vazhdon të mbahet në reanimacion, në Spitalin e Traumës, ku thuhet se është jashtë rrezikut për jetën.

“Vazhdon të jetë një gjendje e stabilizuar. Dje iu nënshtrua një operacioni në urgjencë, që mjekët tanë duhet ta kryenin brenda ditës. Ndërhyrja doli praktikisht me sukses, ndërsa Suloj vijon të ndiqet në terapi intensive, në reanimacion, por gjendja e tij është e qëndrueshme dhe do të kalojë pa probleme”, thotë Arben Zeneli, zv.drejtor i Spitalit të Traumës.

Grupi i hetimit thotë se ajo që dihet është itinerari që do të ndiqte drejtori i burgut. I pyetur paraprakisht, Suloj ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë kërcënim dhe asnjë konflikt, çka e ka bërë akoma më të vështirë hetimin e kësaj ngjarjeje.

Top Channel