Nga 1 shkurti, burg kush ndërton pa leje. Lame: Nuk ka afat të ri përtej 31 janarit

20/01/2015 00:00

Qytetarët që ndërtojnë në mënyrë të jashtëligjshme, duke filluar nga data 1 shkurt do të ndëshkohen jo më me gjobë, por do të shkojnë për ndjekje penale.

Ndryshimet e reja në Kodin Penal, të miratuara në fund të vitit 2014, kanë kthyer ndërtimet pa leje në vepër penale, si për pronarët e ndërtimit, ashtu edhe për sipërmarrësit, zbatuesit e projekteve apo mbikëqyrësit e punimeve.

“Kemi ndryshime edhe në masën e dënimit, nga 1 vit ka shkuar në 5 vjet, duke shtuar dhe konceptin e pasojave të rënda, si në tokë private, ashtu edhe në atë shtetërore. Dënimi është parashikuar me burg deri në 3 vjet edhe për ata që ndihmojnë e asistojnë në ndërtimet e paligjshme”, tha Dallëndyshe Bici.

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame, rikutjoi edhe një herë afatin e fundit të vetëdeklarimeve, duke u bërë thirrje qytetarëve të paraqiten pranë sporteleve të ALUIZNI-t për kryerjen e procedurave.

“Pas kësaj thirrjeje të fundit, askush nuk mund të ankohet se nuk ka pasur mundësi të kryejë procedura të vetëdeklarimit dhe se nuk ka pasur mundësi të përfshihet në procesin e legalizimit. Të gjithë qytetarët kanë ende kohë të paraqiten në sportelet tona, të cilat janë në dispozicion të tyre për të kryer procedurat e vetëdeklarimit deri më 31 janar”, tha Artan Lame.

Numri i objekteve në listë pritjeje për legalizim është 280 mijë, por me rihapjen e procesit të vetëdeklarimeve deri më 31 dhjetor janë shtuar edhe mbi 80 mijë objekte të tjera, që do të vlerësohen nga specialistët e ALUIZNI-t.

Top Channel