PD: Policia larg detyrave të saj. PS: Po sulmohet Policia e Shtetit

20/01/2015 00:00

Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama që vazhdon ta përdorë
Policinë për arrestimin e njerëzve të pafuqishem që s’kane mundësi të
paguajnë energjinë elektrike, ndërsa vendi ndodhet nën pushtetin e
bandave dhe tritolit. 

“Rikthimi i atentateve me tritol, është një dëshmi tronditëse e faktit se Edi Rama dhe ministri i tij vazhdojnë të ndjekin kursin e mbajtjes së Policisë larg detyrës së saj themelore, që është rendi dhe siguria publike.
Për më keq, informacionet e reja në lidhje me kolumbinë e Xibrakës, dëshmojnë për depërtimin e lidhjeve të krimit si metastaza, deri në nivelet më të larta të Policisë dhe Politikës.Tregimi i forcës dhe i dhunës ndaj qytetarëve të zakonshëm, nga njëra anë, dhe flirtimi me bandat e trafikantët nga ana tjetër, është goditja më e madhe që mund ti bëhet rendit dhe sigurisë në vend.Shqiptarët nuk mund të rrinë gjatë duke u lutur që tritoli, plumbat, kokaina, burgimi i padrejtë të mos i afrohet në derë të shtëpisë.Të jemi të sigurt që po nuk reaguam, me këto përmasa që ka marrë krimi nën udhëheqjen e rilindjes, çdo shqiptar është i pasigurt”, tha deputeti i PD-së, Arben Ristani.

Ndërkohë ka reaguar edhe Partia Socialiste, me anë të deputetes, Blerina Gjylameti.

“Janë sulme, që synojnë të përbaltin imazhin dhe punën e Policisë së Shtetit, që nuk po bën asgjë tjetër veçse po zbaton ligjin, në mënyrë të barabartë për të gjithë.Pushtetarët e djeshëm të rrënimit nuk e kanë dot, sot, moralin opozitar për të folur për shtet ligjor e për barazi para ligjit, sidomos në vigjilje të përvjetorit të 21 janarit. Ndërkohë shqiptarët e kanë ende të freskët se si kishte degraduar Policia e Shtetit për tetë vjet rresht. Sesi Lazarati sfidonte shtetin, ndërkohë që Shqipëria zhytej në listat e zeza të vendeve që prodhonin e trafikonin drogë.ne jemi të bindur se duke mbështetur pa kursim Policinë e Shtetit dhe duke mos i politizuar aksionet e saj, problemet mund të lehtësohen dhe mjedisi më i sigurt për qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë e të huaj do të jetë realitet i përditshëm”, tha Gjylameti.

Top Channel