Argjentinë, Presidentja nën akuzë për vrasjen e prokurorit të çështjes ‘Irani’

20/01/2015 00:00

Mijëra argjentinas dolën në rrugët e kryeqytetit Buenos Aires dhe
qyteteve të tjera të vendit për të kërkuar dorëheqjen e Presidentes
Kristina Fernandez Kirchner, të cilën e akuzojnë si urdhëruese e vrasjes
së prokurorit Alberto Nisman.

Nisman u gjet  i vrarë në apartamentin e tij në Buenos Aires. 51-vjeçari ishte udhëheqës i hetimit për shpërthimet terroriste të vitit 1994 në një qendër të komunitetit hebre në Argjentinë.

Në një raport të vitit 2006 Nisman akuzonte autoritetet iraniane si porositëse të sulmit më të madh terrorist në Argjentinë që la 85 hebrenj të vdekur dhe dhjetra të tjerë të plagosur, ndërsa disa ditë më parë ai deklaroi se kishte prova të mjaftueshme që vërtetonin se presidentja Kirchner po përpiqej të sabotonte hetimin për të mos nxjerrë Iranin si porositës të sulmit të kryer nëpërmjet organizatës Hezbollah, që Teherani e financon prej kohësh.

Për këtë një ditë pas vrasjes ai do të fliste në parlament ku do të paraqiste provat që pretendonte në komisionin e sigurisë me dyer të mbylluara.

Në fakt gjatë presidencës Kirchner Argjentina është afruar ndjeshëm me Republikën Islamike dhe është ndër vendet që refuzon sanksionet ndërkombëtare dhe kryen një aktivitet të ngjeshur tregtar duke eksportuar kryesisht mish e duke importuar naftë.

Nën këtë frymë bashkëpunimi, në vitin 2013 presidentja Kirchner njoftoi ngritjen e atij që e quajti ‘Komisioni i së Vërtetës’ që do të hetonte shpërthimet. Në komision do të merrnin pjesë edhe hetues iranianë.

Kjo lëvizje u kundërshtua nga komuniteti i 200 mijë hebrenjve në Argjentinë që e cilëson atë një farsë.

Top Channel