Putin: Rusia të forcojë ushtrinë për vetëmbrojtje përpara sfidave kërcënuese

20/01/2015 00:00

Presidenti Vladimir Putin ka sugjeruar gjatë së martës se Rusia duhet të përforcojë forcat e saj të armatosura për të mbrojtur sovranitetin e saj përballë “sfidave” të lëshuara prej vendeve të tjera që duan të kërcënojnë Moskën.

Komentet e fundit të Presidentit rus përforcojnë gjithashtu angazhimin e tij për një program më të gjerë shpenzimesh për të modernizuar forcat e armatosura, për të cilat edhe Ministria e Financave ka deklaruar se do të përjashtohen nga çdo shkurtim i mundshëm buxhetor të qeverisë, të detyruar nga kriza në rritje ekonomike.

“Ne do të vazhdojmë të forcojmë forcat tona të armatosura dhe organizatat ushtarake në përgjithësi, duke i bërë ato më moderne, të pajisura mirë dhe të afta për të performuar siç duhet në detyrat e tyre kryesore: të neutralizojnë rreziqet dhe kërcënimet potenciale politike ndaj sigurisë së vendit tonë”, është shprehur Putin gjatë një takimi me Komisionin rus të Industrisë.

Putin nuk identifikoi asnjë kërcënim specifik, por doktrina e re ushtarake e Rusisë thekson se zgjerimi i NATO-s përbën një kërcënim. Presidenti rus ka akuzuar gjithashtu Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të nënshtrojnë Rusinë, pas akuzave tashmë të njohura ndaj Perëndimit për rrëzimin e Presidentit ukrainas të mbështetur nga Kremlini vitin e kaluar, duke shtuar se Uashingtoni kishte nxitur protestat kundër tij 3 vjet më parë.

“Ne e shohim qartë se disa vende të tjera po dalin hapur me pretendimet e tyre gjeopolitike, e që nuk hezitojnë aspak të ndërhyjnë haptazi në marrëdhëniet e shteteve të pavarura, ndërkohë që po zgjerojnë aktivisht dhe po përmirësojnë arsenalet e tyre ushtarake”, tha Putin. “Ata shpenzojnë shumë herë më shumë nga ne për forcat e armatosura. Ndaj dhe ne e kemi për detyrim t’i përgjigjemi kësaj sfide”, përfundoi ai.

Top Channel