ISIS kërkon 200 mln dollarë nga Japonia

20/01/2015 00:00

Militantët ekstremistë të ISIS kërcënojnë me ekzekutim dy pengje japoneze nëse Tokio nuk u paguan për 72 orë 200 milion dollarë.

Në videon, autenticiteti i së cilës nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur, shfaqet një luftëtar i maskuar i ekstremistëve, që mediat ndërkombëtare thonë se është britaniku “Xhihadisti Xhon” me në krah të gjunjëzuar dy shtetasit japonezë, që mendohet se janë Kenji Goto Jogo dhe Haruna Yukawa.

Aty kërkohet shuma e caktuar për lirimin e dy pengjeve dhe dënohet ndihma që Japonia u ofron vendeve të koalicionit botëror anti-ISIS.

Nga Jeruzalemi ku ndodhet për një vizitë zyrtare 6-ditore në Lindjen e Mesme, Kryeministri Shinzo Abe e dënoi videon. Ai tha se ky kërcënim është i papranueshëm për vendin e tij që nuk do të gjunjëzohet përballë terrorizmit.

Kryeministri japonez u zotua se do të bëjë maksimumin për lirimin e pengjeve nëse video është e vërtetë. Pikërisht për këtë Ministria e Jashtme japoneze ka nisur punën për të përcaktuar nëse video është e vërtetë apo bëhet fjalë për një mashtrim.

Top Channel