Ukraina, tjetër raund bisedimesh për paqen në Berlin

20/01/2015 00:00

Pas anulimit të samitit të Astanas, në Kazakistan, për krizën e Ukrainës dhe mundësinë për ta zgjidhur atë përmes bisedimeve, Gjermania ka hedhur hapin e radhës duke ftuar palët e interesuara në një raund të ri bisedimesh për paqen në Berlin, ditën e mërkurë në mbrëmje, ku do të marrin pjesë ministrat e Jashtëm të Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës.

Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, e cila konfirmoi një raport të publikuar në të përditshmen gjermane “Sueddeutsche Zeitung”. Sipas këtij raportimi, këtë herë kanë qenë Ukraina dhe Rusia që kanë kërkuar mbajtjen e takimit. Ata janë mëse të gatshëm të diskutojnë për mënyrat se si ta zmbrapsin sërish këtë rikthim të dhunës në rajonet lindore të Ukrainës.

Pas një tjetër takimi të ngjashëm të ministrave të Jashtëm në Berlin, të hënën e kaluar, grupet e kontaktit të katër vendeve anuluan mbajtjen e një samiti të parashikuar në Kazakistan sërish për zgjidhjen e konfliktit, duke argumentuar mungesën e progresit të bërë në lidhje me implementimin e marrëveshjes së Minskut.

Lufta mes forcave ukrainase dhe rebelëve prorusë nisi shumë shpejt pasi Rusia aneksoi Krimenë, marsin e vitit të kaluar, duke shkaktuar kështu edhe krizën më të thellë mes Lindjes dhe Perëndimit, që prej Luftës së Ftohtë. Qeveritë perëndimore akuzojnë Rusinë për mbështetje të rebelëve, përfshi këtu dërgimin e trupave dhe armatimeve, akuza këto që Moska i mohon.

Top Channel