Itali, thyhet një rrjet i gjerë trafikantësh kokaine, 26 të arrestuar

20/01/2015 00:00

Policia italiane ka shkatërruar një rrjet mafioz të trafikut të drogës që kishte lidhje me grupet kolumbiane të narkotikëve, duke arrestuar 26 persona dhe duke sekuestruar mbi 600 kg kokainë dhe hashash.

Rrjeti udhëhiqej nga anëtarët e njohur të grupit “Ndrangheta”, apo mafia kalabreze, nga fshati i vogël malor i San Lucas në jug të vendit, bëjnë të ditur prokurorët.

Në një periudhë kur bizneset italiane e kanë pasur të vështirë t’i mbijetojnë recesionit 6-vjeçar, grupet mafioze kanë gjetur terrenin e gatshëm për të pastruar të ardhurat e tyre nga krimi, në Romë por edhe në pjesë të tjera të Italisë, të cilat nuk njihen për lidhje me organizatat kriminale.

“‘Ndrangheta’ e konsideron Romën si pjesë integrale të projektit të saj kriminal. Disa anëtarë të këtij rrjeti kanë thënë se ‘Roma është e ardhmja’”, është shprehur kryeprokurori i antimafias Michele Prestipino për reporterët. “Tregu i Romës është strategjik dhe ndihmon klanet të grumbullojnë fuqi kriminalizuese dhe ekonomike”.

Përgjatë dy dekadave të fundit, policia dhe prokurorët janë përballur dhe i kanë dhënë disa goditje mafias siçiliane, e cila konsiderohet si një nga grupet më të fuqishme kriminale prej dekadash tashmë në Itali, ndërkohë që në jug të gadishullit të Apenineve “Ndrangheta” është përforcuar aq shumë, sa është bërë një prej importuesve më të mëdhenj në Europë të kokainës.

Përveç sekuestrimit të sasisë prej 600 kg drogë së fundi, policia ka thënë se ka dokumentuar edhe trafikimin e një sasie prej 1500 kg kokaine dhe hashashi. Për të zgjeruar ndikimin e saj në tregjet e drogës së kryeqytetit, mafia ka formuar edhe një skuadër goditëse, e cila qëlloi për vdekje bosin e një tjetër grupi rival dy vite më parë.

Kur vrasësit e dyshuar u zbuluan vitin e kaluar, njëri prej tyre dha prova kundrejt shtetit dhe informacione tepër të vyera që ndihmuan në arrestimet e së martës, tha Prestipino.

Grupi ka baza logjistike në Xhenoa, Milano dhe Torino, ndërsa ka dërguar përfaqësues për të mbajtur lidhje me kartelet më të dhunshme kolumbiane të kokainës, tha përfaqësuesi financiar i Policisë, Cosimo di Gesu. Mes 31 të dyshuarve në kërkim, 4 prej tyre janë kapur në Spanjë, ndërsa vetëm njëri është ende në arrati.

Ambicia e grupit mafioz është të “monopolizojë tregun roman të drogës, duke e shpallur veten si ndërmjetës për grupet e tjera kriminale që operojnë në të njëjtin territor”, tha policia.

Top Channel