Maqedoni, rrezikohet miratimi i ndryshimeve kushtetuese. 5 deputetë të BDI-së dalin kundër?

20/01/2015 00:00

Miratimi i amendamenteve të propozuara nga qeveria për ndryshimin e Kushtetutës mund të komplikohet në fazën finale, pasi jozyrtarisht bëhet e ditur se 5 deputetë të BDI-së që janë pjesë e shumicës në Kuvend, nuk do ta përkrahin ndryshimin e Kushtetutës, për çka janë dakordësuar partnerët e koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI.

Nëse këto paralajmërime rezultojnë të sakta, mazhoranca do ta ketë të pamundur të sigurojë 82 votat e nevojshme për miratimin e amendamenteve, me të cilat qeveria kërkon të përkufizojë në Kushtetutë martesën si bashkim vetëm ndërmjet burrit dhe gruas, e të zbatojë disa reforma në gjyqësor dhe financa.

“Vlerësimi i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, por edhe i Qeverisë, është se amendamentet që sot janë në rend dite, në tërësi janë të harmonizuara me vërejtjet e Komisionit të Venecias”, tha Adnan Jashari, ministër i Drejtësisë në Maqedoni.

Partia Demokratike Shqiptare në opozitë ka ripërsëritur qëndrimin se do të votojë kundër amendamenteve të qeverisë për ndryshimin e Kushtetutës, për shkak se nuk janë përfshirë kërkesat elementare të shqiptarëve.

“Sot në rend dite janë ndryshimet kushtetuese, të cilat nuk aprovohen me konsensus të gjerë politik dhe etnik, por paraqesin në vetëvete edhe një tendencë anashkalimi të problemeve reale që kanë të bëjnë me shqiptarët në Maqedoni. Të ndryshosh pjesën që ka të bëjë me martesat e homoseksualëve, Bankën, Zonat Ndërkombëtare Financiare, e të mos preken pjesët që kanë të bëjnë me avancimin sasior të të drejtave të shqiptarëve, është një hipokrizi e llojit të vet”, tha Gazmend Aliu, deputet i PDSH-së.

Ndërkohë, derisa në Kuvend ka nisur debati për votimin e amendamenteve të Qeverisë, Brukseli zyrtar ka bërë thirrje për një konsensus të gjerë për miratimin e tyre. Por, arritjen e një konsensusi të gjerë e bën të pamundur edhe mungesa e opozitës maqedonase, e cila bojkoton punën e Parlamentit.

Top Channel