Dosja e Prokurorisë, 3-5 mijë euro një porosi tritoli

20/01/2015 00:00

Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 4 personat e arrestuar pak ditë më parë në Durrës për prodhimin e minave me celular. Nga hetimet e Prokurorisë rezulton se  Dritan (Fabius) Dauti në bashkëpunim me persona të tjerë dyshohet se ka vendosur edhe herë të tjera lëndë plasëse në zonën e Fushë-Krujës dhe Krujës në objekte të ndryshme.

“Nga ana e Policisë Gjyqësore është bërë i mundur sigurimi i informacionit, në bazë të të cilit Febius Dauti dhe 3-4 shokë të tij mund të vendosin eksplozivë me porosi në vende të ndryshme si makina, vende publike apo kudo që të bëhet porosi kundrejt shpërblimit me para’. Sipas informacionit të përftuar, këta shtetas synonin që porositësit e tyre të ishin korrektë në pagesa për kryerjen e veprimeve të tyre. Po ashtu, janë siguruar të dhëna se këta shtetas dyshohet se mund ta vendosnin lëndën shpërthyese edhe duke e telekomanduar shpërthimin nga distanca”, thuhet në dosjen e organit të akuzës.

Lidhur me arrestimin, Prokuroria bën të ditur se më datë 17.01.2015, në orën 16.20, në autostradën Durrës-Tiranë, në zonën në afërsi të mbikalimit për këmbësorë në Shën Vlash, u konstatuan shtetasi Fabjus (Dritan) Dauti, një person tjetër rreth moshës 30 vjeç, i cili mbante në dorë një qese të kuqe. Në këto momente kanë ndërhyrë oficerët e policisë, të cilët kapën në duart e tij tre kallëpe, lëndë shpërthyese e llojit eksploziv C4. Në momentet e këmbimit të lëndës plasëse kanë qenë të pranishëm dhe janë kapur nga policia edhe shtetasit e dyshuar Dashnor Dumani, Bledar Plaku e Asllan Plaku.

Ndërkohë, burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se Dauti merrte porosi të cilat varionin nga 3-5 mijë euro për të vendosur lëndë plasëse në varësi të objektivit. Nga ana e saj, Prokuroria dhe Policia janë duke vijuar hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal.

Top Channel