Kosovë, protestë e familjarëve të aktivistëve të vrarë të LDK-së

20/01/2015 00:00

Ish-ministri i Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, i vrarë në shtator të vitit ’98; këshilltari për Informim i Presidentit Ibrahim Rugova, Xhemajl Mustafa, i vrarë në nëntor të vitit 2000; kryetari i Klinës, Ismet Rraci, i vrarë në 2001-shin; e shumë emra të tjerë veprimtarësh të LDK-së kanë zënë vend në parullën që kërkon drejtësi për vrasjet e pasluftës e të cilësuara si politike.

Familjarët e viktimave, të gjithë – në një mënyrë apo tjetër – të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, protestuan në heshtje para Qeverisë, në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, me të vetmin zë të lartë, atë që lexonte emrat e të vrarëve.

Doruntina Maloku është deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së. Është vajza e shefit të Qendrës për Informim të Kosovës, Enver Maloku, i vrarë më 11 janar 1999. Përveç homazheve në përvjetorin e vdekjes, drejtësia as në këtë rast nuk e ka thënë fjalën e saj.

Në emër të familjeve të të vrarëve, Maloku shprehet e shqetësuar me neglizhencën e institucioneve, në raport me vënien para drejtësisë të urdhëruesve dhe të autorëve të atentateve me motive politike të intelektualëve të LDK-së. Ndërsa e vetmja shpresë sot është në Gjykatën Speciale.

Jo rrallë herë, familjarët e veprimtarëve të LDK-së kanë fajësuar partinë rivale PDK-në se ka gisht në këto vrasje. Por, në këtë drejtim kanë munguar akuzat nga Prokuroria. Edhe në këtë protestë, njëri nga familjarët e ndërlidh pamundësinë e sistemit të drejtësisë për të kryer punë, me faktin që ministri i Drejtësisë vjen nga PDK-ja.

Në protestë morën pjesë edhe deputetët e LDK-së, të cilët kanë qenë kundër koalicionit qeverisës me PDK-në. Kjo është protesta e parë e kësaj natyre në Kosovë. Protestuesit u shpërndanë të qetë, ndërsa një deklaratë e përbashkët e familjarëve u është shpërndarë autoriteteve të institucioneve qendrore, atyre të drejtësisë dhe ambasadores amerikane në Kosovë.

Top Channel