Marrëveshje me “Statkraft” për infrastrukturën

20/01/2015 00:00

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese miratoi marrëveshjen që i hap rrugë
ndërtimit nga vetë kompania “Statkraft” të infrastrukturës zëvendësuese,
rrugë dhe ura që përmbyten si pasojë e ndërtimit të hidrocentralit mbi
lumin Devoll.

Ndërtimi i kësaj infrastrukture brenda afateve të parashikuara në kontratë është detyrim i qeverisë, por nuk mund të kryhet prej saj për shkak të mungesës së fondeve, çka detyroi edhe marrëveshjen me kompaninë norvegjeze.

Zv.Ministri i Energjisë, Ilir Bejtja thotë se shuma e parashikuar për ndërtimin e infrastrukturës është 10.55 mln euro nga rreth 60 mln që vlerësohet në total, duke mbuluar vetëm 1/6 e projektit.

Me marrëveshjen e re, kompania merr përsipër të kryejë të gjithë financimin, çka do t’i shlyhet nga buxheti i shtetit për një periudhë 5-vjeçare. Kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi thotë se kjo është një qasje e re kundrejt konçensioneve, duke i parë ato jo vetëm si gjeneratorë energjie, por dhe në kuadër të mundësive për zhvillimin e infrastrukturës cilësore në zonat ku ndërtohen.

Top Channel