Klevis Tafaj, ëndrra amerikane e një balerini shqiptar

20/01/2015 00:00

Ëndrra e tij ishte gjithmonë Amerika, por s’e kishte menduar kurrë se rruga e tij kalonte nga San Marino.

Klevis Tafaj nuk është një 20-vjeçar i zakonshëm. I edukuar në shkollën e Baletit, në Tiranë, ai filloi punë në Teatrin e Operas dhe Baletit, me dëshirën që një ditë të performonte në skenat e botës.

I gjithë ky pasion vinte nga dashuria e madhe për baletin. Që nga dita kur hyri për herë të parë në një klasë baleti, ende pa i mbushur dhjetë vjeç, e deri më tani numëron më shumë orë të kaluara brenda palestrave të shkollës dhe Teatrit të Operas dhe Baletit, se sa në shtëpinë e tij.

Me sytë jashtë Shqipërisë, ai aplikoi në një konkurs ndërkombëtar baleti “Danza Europa Italia”. Megjithëse mori pjesë pa pretendime, ai ia doli të triumfojë mes 300 konkurrentësh. Kjo fitore i ndryshoi rrjedhën e jetës dhe të karrierës, që sapo kishte nisur të merrte formë.

Me këtë fitore ai fluturoi drejt vendit të ëndrrave, Amerikës. Bursa e fituar ia mundësonte atij një provë në një teatër të SHBA-ve. Muaj të tërë të mbushur me mësime, prova e shfaqje në Amerikë, deri në dhjetor të vitit të kaluar, kur “Ajkun Ballet Theatre” i ofroi të riut shqiptar një kontratë pune 3-vjeçare.

Tashmë Klevisi do të jetë balerin profesionist pranë këtij teatri dhe ëndrra e tij amerikane po jetësohet.

Top Channel