“Burrneshat” shqiptare, pretendent për çmimin kinematografik “Ariu i Artë”

20/01/2015 00:00

Historitë e tyre kanë tërhequr gjithmonë vëmendje. Janë ato gra, që zgjedhin beqarinë e përjetshme, duke jetuar jetën e një burri.

Është pikërisht subjekti shqiptar i “Burrneshave”, i cili është pretendent për “Ariun e Artë” në Festivalin Ndërkombëtar të Berlinit, më 12 shkurt të këtij viti.

I bazuar në romanin “Hana” të shkrimtares Elvira Dones, filmi flet për historinë e Hana Dodës, një vajzë e vogël që jeton në malet e Shqipërisë, ku detyrohet të zbatojë Kanunin. Por, ajo nuk e pranon fatin e saj. Heq dorë dhe vendos të gjejë shpirtin binjak, për të mos qenë thjesht një shërbëtore.

Regjia dhe skenari i filmit “Burrneshat” mbajnë firmën e italianëve Laura Bispuri dhe Francesca Manieri. Roli kryesor i është besuar aktores italiane, Alba Rohrwacher, e cila ka tre çmime si aktorja më e mirë në Festivalin e Filmit në Venecia.

Kinematografia shqiptare përfaqësohet nga Bruno Shllaku dhe Flonja Kodheli, ndërsa Kosova me aktorët Luan Jaha dhe Ilire Vinca Çelaj.

“Burrrneshat” është një bashkëprodhim i Italisë, Kosovës, Shqipërisë, Zvicrës e Gjermanisë, dhe është filmi i parë që mbështetet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Top Channel