“Thirrjet e Nënave” dhe Vetëvendosja, protestë të shtunën kundër Jabllanoviçit

20/01/2015 00:00

Shoqata “Thirrjet e Nënave” dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë ftuar qytetarët, partitë politike, shoqërinë civile e organizata të ndryshme, që të protestojnë të shtunën në Prishtinë, me kërkesë shkarkimin e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviç, pasi ky i fundit ditë më parë i quajti “egërsira” familjarët e të pagjeturve në Gjakovë.

“Në këtë protestë i bëjmë thirrje dhe ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, shoqërinë civile, partitë politike dhe të gjithë ata që e ndiejnë vetën të ofenduar, pasi Jabllanoviç ka ofenduar nënat e Gjakovës duke i quajtur ‘egërsira’, të marrin pjesë në protestën që do të mbahet të shtunën në orën 14. Tubimi bëhet para Bibliotekës Kombëtare”, tha Nysrete Kumnova, “Thirrjet e Nënave”.

“Nuk mund ta ndërtojmë shtetin, nuk mund ta zhvillojmë Republikën, përderisa Qeveria e Kosovës mbetet peng i këtyre njerëzve, që me direktiva nga Beogradi shtiren se nuk e dinë që ka pasur krime dhe masakra në Kosovë. Republika e Kosovës nuk mund të sundohet nga një marrëveshje e Rashkës, e cila u bë më 9 dhjetor të vitit të kaluar, mes Mustafës, Thaçit dhe Jabllanoviçit, ndaj besojmë se kjo protestë është çështje jetike, është çështje e mbijetesës dhe e shpëtimit të Republikës”, tha Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Sa i përket faljes së kërkuar nga ministri Jabllanoviç një ditë më parë, koordinatori i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë, Driton Caushi, tha se është e parëndësishme.

“Ne kemi dëgjuar në media dje se është pretenduar kërkimi i faljes, mirëpo unë besoj se që nga momenti kur Jabllanoviç nuk njeh masakrat gjatë luftës së Kosovës, çdo qëndrim i tij ose çdo prononcim i tij është absolutisht i parëndësishëm”, tha Driton Caushi, koordinator i Vetëvendosjes, Gjakovë.

Në anën tjetër, shkarkimin e ministrit Jabllanoviç e kërkuan edhe një numër i madh i studentëve, të cilët protestuan të martën në Prishtinë. Organizatorët e kësaj proteste nga Parlamenti Studentor thanë se janë aty për të demaskuar gjuhën fyese dhe të urrejtjes, jo vetëm nga një ministër i Qeverisë së Kosovës nga radhët e minoritetit serb, por nga gjithë ata që prekin dinjitetin kombëtar shqiptar.

Top Channel