Protesta e gazetarëve, lirohet përkohësisht nga burgu Kezharovski

20/01/2015 00:00

Gazetari Tomislav Kezharovski, është liruar të martën nga burgu, me kusht që të rikthehet pas një muaji, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Vendimin e ka bërë të ditur drejtori i Burgut në Shkup, vetëm disa orë para fillimit të protestës kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila dënoi me dy vite burgim gazetarin maqedonas.

Menjëherë pas lirimit nga burgu, Kezharovski iu bashkua marshimit të protestuesve, që nisi nga përpara godinës së Gjykatës së Apelit dhe përfundoi para Qeverisë.

Gazetarët, që dolën në protestë kundër dënimit të kolegut të tyre me dy vite burgim, e cilësuan vendimin e gjykatës si sulm ndaj fjalës së lirë.

“Ju përgëzoj që sot erdhët të solidarizoheni më lirinë e një gazetari. Kështu solidarizoheni me lirinë tuaj, me lirinë tonë. Kjo protestë është solidaritet me të gjithë ata shqiptarë, që kjo Qeveri e korruptuar i çoi në burgjet e Maqedonisë”, tha Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni.

Përveç gazetarëve dhe qytetarëve të shumtë, në protestë morën pjesë edhe përfaqësues të opozitës maqedonase.

Në fund të protestës, organizatorët shpalosën një karikaturë për të përshkruar realitetin e mediave gjatë qeverisjes së kryeministrit Nikola Gruevski.

Top Channel