Ankesat e qytetarëve për faturat, Çela: Janë rreth 50 mijë, po i shqyrtojmë

20/01/2015 00:00

Drejtori i OSHEE-së, Ardian Çela, gjatë një inspektimi në qytetin e Shkodrës, foli edhe për ankesat e qytetarëve në lidhje me faturat e energjisë elektrike. Ai tha se në të gjithë vendin deri tani ka 50 mijë ankesa, të cilat po shqyrtohen.

Ditët e fundit, në zona të ndryshme ka pasur edhe protesta të banorëve, të cilët në libreza figurojnë se i kanë paguar faturat e energjisë, por sërish rezultojnë debitorë.

“Jemi të ndërgjegjshëm që ka problematika, sepse po të mos kishte nuk do të ishim në këtë fazë. Ne jemi duke i shqyrtuar, por siç thatë edhe vetë ka shumë ankesa, të cilat kompania CEZ nuk i kishte trajtuar. Janë rreth 50 mijë deri në këto momente. Jemi të qartë gjithashtu se jo të gjitha ankimimet qëndrojnë, sepse ka edhe të tilla që nuk mund të marrin zgjidhje. Megjithatë, ne jemi të hapur por ky problem kërkon edhe pak kohë, pasi duhet të reformohet edhe Kujdesi ndaj Klientit, i cili është një nga pikat më të dobëta të kompanisë aktualisht. Jemi duke i bërë një reformim të thellë strukturor kësaj drejtorie”, deklaroi kreu i Shpërndarjes së Energjisë, Çela.

Top Channel