Investimet, nuk realizohet buxheti. Shpenzimet për 2014-n, 17.6 mld lekë më pak se plani

20/01/2015 00:00

Vitin e kaluar, investimet publike ishin 5.4 miliardë lekë, ose rreth 45 milionë dollarë më të ulëta se plani vjetor. Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se nga 66 miliardë lekë, që ishte programi vjetor, qeveria investoi 60.54 miliardë lekë, me një realizim prej 92 për qind.

Të marra në total, shpenzimet e buxhetit rezultuan 17.6 miliardë lekë më të ulëta se parashikimi, pasi veç investimeve, mosrealizime ka pasur edhe në zërat e tjerë, si shpenzimet e mirëmbajtjes dhe ato që qeveria kryen për pushtetin vendor.

Në krahun tjetër të buxhetit, atë të të ardhurave, treguesit kanë pasur një realizim më të mirë ndaj planit. Në total për gjithë vitin, qeveria mblodhi 366.7 miliardë lekë të ardhura nga taksat dhe burimet e tjera, duke rezultuar me një mosrealizim ndaj programit prej vetëm 1.2 miliardë lekësh.

Por të dhënat tregojnë se kjo ecuri në mbledhjen e të ardhurave është ndikuar kryesisht nga të ardhurat e kontributeve, të cilat në dhjetor kanë pasur një ecuri të fortë, të ndikuar ndoshta dhe nga amnistia që qeveria lajmëroi për sigurimet e fermerëve. Ndërkaq, nga tatimet dhe doganat, të ardhurat e mbledhura kanë qënë 7 miliardë lekë më pak se plani.

Mosrealizimi i shpenzimeve dhe mbledhja e të ardhurave sipas planit ka bërë që qeveria të mos marrë të gjithë borxhin që kishte parashikuar për vitin e kaluar. Sipas shifrave defiçiti buxhetor, pra huamarrja e qeverisë, ishte 16.3 miliardë lekë, ose 19 për qind më pak se plani i vitit, një rezultat që duket se lehtëson edhe buxhetin e këtij viti.

Top Channel