BE forcon masat e sigurisë. “Atashe sigurie” pranë delegacionit në çdo vend, përfshi Ballkanin

21/01/2015 00:00

Të gjitha delegacionet e BE-së në botë do të kenë një “atashe sigurie” për shkëmbimin e informacionit në këtë fushë.

Masat e dakordësuara nga 28 ministrat e Jashtëm europianë të mbledhur në Bruksel, ndërsa autoritetet belge informonin për kalimin në shkallën e parafundit të sigurisë, nuk lënë mënjanë Ballkanin, megjithëse ato priten të trajtohen dhe në tryezën e ministrave të Brendshëm të BE-së, së bashku me Komisionerin europian për Emigracionin, përpara se t’i kalojnë samitit informal të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, në mes të shkurtit, siç informoi Përfaqësuesja e Lartë Mogherini.

Komisioneri Johannes Hahn tregoi se ministrat e Jashtëm të rajonit do të informohen së shpejti, në një konferencë të posaçme të BE-së. Ndërkohë që, përtej dy tryezave të rregullta vjetore BE-Ballkan në nivel të ministrave të Brendshëm, një e tretë parashikohet të organizohet në fillim të pranverës.

Burime konfidenciale nga Këshilli i BE-së rrëfyen për Top Channel se “tryezat e rregullta kanë tjetër profil dhe hasin mangësi në fushën e shkëmbimit të informacionit mbi çështje të sigurisë”, që aktualisht mbulohet nga “Europol”, sipas marrëveshjeve të fundit me vendet respektive. “Gjurmët e Ballkanit hasen jo vetëm në gjetjet hetimore pas aktit terrorist në Paris, por dhe në linjën e trafikut të antikuareve nga Siria drejt Vjenës”, shtuan të njëjtat burime.

Zyrtari europian vlerësoi se “Bosnja e Kosova ndajnë rrezikun më të lartë për ‘luftëtarët e huaj’, në krahasim me vendet e tjera të rajonit”.

Mësohet se, në fund të janarit parashikohet thirrja ndaj Ballkanit për projekte në fushën e sigurisë, ku një pjesë e fondeve të para-anëtarësimit do të përdoren për rritjen e kapaciteteve në organet ligjzbatuese mbi çështje të sigurisë, kundër terrorizmit, urrejtjes e qëndrimeve radikale.

Komisioni Europian mbështeti ndërkohë nismën ligjore të disa vendeve anëtare të BE-së për konfiskimin e dokumenteve të udhëtimit për “të dyshuarit xhihadistë” dhe, sipas ekzekutivit europian, sistemi i Informacionit të “Schengen”-it duhet përshtatur me ndryshimet e statusit të pasaportave, “në mënyrë që sistemi të lajmërojë kudo në zonën e lirë ‘Schengen’ autoritetet kufitare, policinë, doganat, zyrtarët e drejtësisë dhe vizave, për dikë që supozohet të mos futet në BE, apo që dyshohet se ka kryer krim”.
    
Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel