Hahn: Debati politik bëhet në Parlament

21/01/2015 00:00

Bashkëpunimi midis forcave politike shqiptare është parakusht për
përmbushjen e kritereve të vendosura nga Bashkimi Europian lidhur me
hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE dhe integrimin e plotë të
vendit në familjen europiane.

Është komisioneri për fqinjësinë dhe negociatat e zgjerimit në BE, Johannes Hahn, i cili një ditë pas nisjes së punimeve të Kuvendit të Shqipërisë vlerëson arritjen e një marrëveshjeje të negociuar nga PE-ja, që e riktheu këtë të fundit në Kuvend pas gjashtë muajve bojkot.

“Kam qenë në kontakt me politikanët shqiptarë për këtë çështje. Duke qenë se kjo marrëveshje ka të bëjë me bashkëpunimin politik brenda Kuvendit, është shumë mirë që ajo u arrit në nivelin e parlamenteve. Ndaj Parlamenti Europian ishte institucioni i duhur për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Gjithsesi, edhe ne e kemi stimuluar arritjen e kësaj marrëveshjeje, duke qenë se prezenca e opozitës jashtë Parlamentit është një çështje që nuk është shfaqur vetëm në Shqipëri, por edhe në Maqedoni. Për të avancuar në integrimin europian drejt anëtarësimit në BE, nevojitet që debati politik të kryhet brenda Parlamentit. Partitë politike duhet të jenë në Parlament për të zhvilluar një debat të matur politik mbi çështjet përkatëse”- tha komisioneri për Zgjerimin.

Top Channel