Vetëvrasja, një problem mashkullor

21/01/2015 00:00

Çdo vit stresi, ankthi, depresioni dhe çrregullime të tjera mendore i marrin jetën mijëra personave në mbarë botën, por një studim tregon që vetëvrasja është ‘një sëmundje mashkullore’.

Të dhënat e autoriteteve shëndetësore në Angli tregojnë se në vitin 2012, 5981 persona u dorëzuan përballë depresionit dhe vranë veten, 4590 prej tyre ishin meshkuj, pra më shumë se një e katërta.

Në Shtetet e Bashkuara në vitin 2010, 79 për qind e vetëvrasjeve, në 38 mijë të tilla, viktimat ishin meshkuj dhe vetëm 21 për qind ishin femrat. Në diferenca të ngjashme janë edhe raportet nga shumë vende të tjera perëndimore, përfshirë këtu Francën e Gjermaninë.

Këto shifra bien në kundërshtim me sugjerimin e pjesës më të madhe të studimeve që pohojnë se femrat janë më të prirura të preken nga depresioni me shifra që shkojnë nga 20 deri në 40 për qind më shumë.

Kjo konfirmohet edhe në studimin e “Adult Psychiatric Morbidity” në Angli ku 19 përqind e femrave me depresion dhe çrregullime mendore pohuan se kishin menduar seriozisht të kryenin vetëvrasje, ndërsa për meshkujt e së njëjtës kategori, kjo shifër ishte 14 përqind.

Por jo vetëm kaq, femrat jo vetëm që e marrin më shumë në konsideratë një ide të tillë, por janë edhe më të prirura të veprojnë. I njëjti studim thotë se 7 për qind e femrave të pyetura pohuan se kishin tentuar vetvrasjen, ndërsa për meshkujt kjo shifër ishte 4 për qind.

Atëherë, nëse femrat janë më të prirura për të vuajtur nga probleme psikologjike, si shpjegohet që numri më i madh i vetëvrasjeve regjistrohet për meshkujt?

Për këtë një pjesë e mirë e psikologëve thonë se ‘është çështje metode’. Sipas tyre, femrat tentojnë të vetvriten me mënyra ‘të padhimbshme’ si mbidoza me lëndë narkotike apo barna mjekësore, që në shumicën e herëve nuk shkakton vdekjen, ndërsa meshkujt janë të prirur të përdorin armët e zjarrit apo varjen në litar, që në pjesën dërrmuese të herëve rezultojnë me vdekje.

Top Channel