Belgjika: Nuk pranojmë azilkërkues. S’u bë deti kos

21/01/2015 00:00

Pas takimeve të zhvilluara në Tiranë me ministrin e Brendshëm, Sekretari
belg i Shtetit për Azilin dhe Emigracionin, Teo Franken ka zhvilluar
një takim pune me drejtuesit e Prefekturës Shkodër.

Arsyeja e vizitës në Shkodër sipas zyrtarit belg është se 95 përqind e rasteve të azilkërkuesve shqiptarë në Belgjikë janë nga zona e Shkodrës.

“Kemi rreth 500 raste në vit azilkërkues nga Shqipëria dhe këto janë pothuajse gjithë nga zona e Shkodrës dhe kjo e bën shqetësuese situatën e liberalizimit të vizave. Belgjika nuk është vendi ku është bërë deti kos”, deklaroi Teo Franken.

Më pas Sekretari belg i shtetit për Azilin është shprehur se me rregullat e reja personat që refuzojnë kthimin do vendoset masë ndalim hyrje në gjitha vendet partnere të Shengenit për të paktën tre vjet.

Rritet numri i azilkërkuesve shqiptarë

Fenomeni i azilkërkuesve nga Shqipëria ka marrë një rritje të dukshme muajt e fundit. Rasti me flagrant ishte ai i kapur në Portin e Vlorës, kur në mënyrë të organizuar disa autobusë ishin mbushur me persona që synonin të kërkonin azil në Gjermani.

Dëshira e njerëzve për të emigruar dhe heqja e vizave Shengen është parë si një mundësi e mirë fitimi për disa persona që në mënyrë kriminale organizojnë udhëtime në këmbim të pagesave që shkojnë deri në 500 euro për person me qëllim marrjen e azilit.

Në Gjermani ka një rritje prej 600 për qind të kërkesave për azil dhe ato vijnë kryesisht nga rrjetet kriminale që shfrytëzojnë kryesisht udhëtimet me autobusa për të dërguar azilkërkues.

Pas Belgjikës e Gjermanisë, i njëjti fenomen është duke ndodhur me një numër të madh azil-kërkuesish edhe në vendet nordike dhe veçanërisht në Suedi.

Sipas diplomatëve të këtyre vendeve në Shqipëri të gjithë kanë për t’u kthyer mbrapsht në përfundim të procedurave të shqyrtimit të azilit, kthim që shoqërohet me penalitete.

Top Channel