Pogba, e ardhmja është larg Torinos

21/01/2015 00:00

Sa herë që flitet për Paul Pogba, Juventusi është kujdesur që të deklarohet i vendosur për të refuzuar shumat marramendëse që mund të vijnë në drejtim të Torinos nga klubet ‘pasanike’ të Europës.

Por më shumë se sa refuzimi i 100 milionëve, (të paktën kjo është shuma që përflitet se kanë vendosur bardhezinjtë për zgjidhjen e kontratës me të) duket se gjithçka vërtitet rreth pagës së mesfushorit 22-vjeçar.

Francezi me kontratën e re përfiton 4.5 milion euro, e cila tjetërkund mund të dyfishohet. E këtu tjetërkundi është Reali i Madridit, Manchester City apo PSG, e pse jo edhe vetë Manchester United që ‘është penduar’ tashmë.

Një ofertë e tillë nuk është bërë ende, të paktën jo zyrtarisht, por me shumë gjasa në merkaton e verës Mino Raiola, menaxheri i futbollistit do të trokasë në dyert e Juventusit me kontratën e ofruar nga një tjetër klub dhe nëse bardhezinjtë nuk pranojnë të plotësojnë kushtet financiare të lojtarit, atëherë e ardhmja e tij do të jetë larg Torinos.

Gjithçka më pas është një vendim i Pogba që duhet të zgjedhë mes parave dhe Juventusit.  

Top Channel