Gjebrea në Kosovë, takim për ndalimin e trafikimit të fëmijëve

21/01/2015 00:00

Zëvendësministrja e Brendshme e Republikës së Shqipërisë, Elona Gjebrea,
të mërkurën në Prishtinë, ka zhvilluar një takim pune me autoritetet
përkatëse të Kosovës lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore, me fokus
fëmijët.

Vizita e Gjebreas në Kosovë ka për qëllim fuqizimin e bashkëpunimit të autoriteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, sa i përket luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore.

“Vlen të theksohet se është rënë dakord që ne duhet të unifikojmë procedurat standard të veprimit, pra procedurat që na bëjnë të identifikojmë në mënyrë të njejtë viktimat e trafikimit, të cilat duhet të marrin pastaj edhe mbështetje sipas autoriteteve përkatëse dhe shpresoj shumë që ky takim do të jetë i frytshëm pikërisht për të realizuar këtë dhe për t’i ardhur në ndihmë fëmijëve të cilët kalojnë kufirin, të cilët kërkojnë, bien pre e trafikimit për lypje, për punë të detyruar, për shfrytëzim”, tha Gjebrea.

Zëvendësministrja Gjebrea u shpreh e bindur se Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë dhe autoritetet në Kosovë do të arrijnë që me statistika të tregojnë aftësinë dhe gatishmërinë për të menaxhuar këtë problem.Ky është takimi i dytë mes dy vendeve sa i përket trafikimit me qenie njerëzore, ku në takimin paraprak muaj më parë janë vendosur pikat e kontaktit dhe janë caktuar detyrat.

Top Channel