Izrael, një palestinez sulmon me thikë pasagjerët në një autobus

21/01/2015 00:00

Një tjetër incident i dhunshëm tronditi Tel Avivin, ku një palestinez qëlloi me thikë 9 persona në një autobus, duke lënë tre prej tyre në gjendje kritike për jetën.

Efektivët e policisë e ndoqën agresorin dhe e plagosën në këmbë. Nga rindërtimi fillestar i ngjarjes, rezulton se 23-vjeçari nga Bregu Perëndimor fillimisht ka goditur shoferin e autobusit, e pastaj i është kthyer pasagjerëve.

Incidentin e ndodhur në urën Maariv, policia po e trajton si sulm terrorist. Forcat e rendit janë duke patrulluar të gjithë zonën për të parandaluar episode të ngjashme, ndërsa rrugët përreth urës në fjalë janë mbyllur krejtësisht.

Izzat Risheq, një zyrtar i lartë i grupit militant palestinez Hamas, e lavdëroi sulmin duke e përshkruar si përgjigjen e natyrshme ndaj krimeve të okupatorit dhe terrorizmit kundër popullit palestinez.

Këto muajt e fundit, Izraeli ka parë një shtim të incidenteve të kësaj natyre, të ndodhura më së shumti në Jeruzalem. Palestinezë, që veprojnë të vetëm dhe pa armë të sofistikuara, sulmojnë civilë sa me thika, ashtu edhe duke përplasur mbi kalimtarë të rastit automjetet që drejtojnë.

Kjo valë e re tensionesh nisi të shtohet vitin e kaluar, pas konfliktit të verës në Gaza dhe mosmarrëveshjeve mbi qasjen në vendet e shenjta të Jeruzalemit.

Top Channel