PD: Rama, videomashtrim për spitalet

21/01/2015 00:00

Partia Demokratike i ka bërë opozitë videos për shëndetësinë, e postuar
një ditë më parë në Facebook. Nga kryeministri Edi Rama. Video eshte
postuar me hashtagun “ndryshime reale”, por sipas Partise Demokratike,
shendetësia gjendet në diten e vet më të keqe.

“Me këtë videospekulim ku janë bashkuar copëza nga investimet e qeverisë së mëparshme, tenton të tregojë një parajsë që nuk ekziston, dhe aq më pak të krijuar nga ai”, thotë Grida Duma.

Por pse shendetesia sot eshte me keq se dje? Grida Duma ben analizen e saj ne kete fushe.

“Këtë e konfirmon vetë Kryeministri, i cili kur i duhet domosdoshmërisht të shkelë në spitale për vete ose familjarët e tij, nuk zgjedh spitalin publik të rilindur sipas tij, por zgjedh ose klinikat jashtë vendit, ose spitalet private. Kur qytetarët lëngojnë në mungesën e ilaçeve, sëmuren më shumë në mungesën e ngrohjes, kur një e mitur abuzohet seksualisht në urgjencën e spitalit, kur mjekët dhe infermierët, ata që janë profesionistë e me integritet do të merren në provim nga diletantët e qeverisë, të publikosh një videomashtrim të prodhuar në montazh kryeministror është provokimi më i ulët, më i papranueshëm”, tha Duma.

E frymezuar nga komentet ne Facebook-un e Kryeministrit pas publikimit te videos per shendetesine, Partia Demokratike ka paralajmëruar protesta.

“Kjo klikë që ka mashtruar me shëndetësinë falas, që ka braktisur qytetarët në ditën e tyre më të keqe, që i sheh spitalet dhe shëndetësinë vetëm si një ndërmarrje të madhe pasurimi e monopoli shërbimesh, ka për t’u refuzuar me përbuzje. Partia Demokratike është dhe do të jetë në krah të tyre. Mashtrimi i kryeministrit do të përballet dhe do të njohë realitetin e protestave dhe të marshimit popullor,  më të madhin që ka parë ndonjëherë vendi”, tha Duma.

Top Channel