Lavrov: Bisedimet e Berlinit për një armëpushim të menjëhershëm

21/01/2015 00:00

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se bisedimet e Berlinit do t’i shfrytëzojë për të kërkuar vendosjen e një armëpushimi të menjëhershëm në konfliktin ukrainas.

Rusia – u shpreh kryediplomati, – nuk e dëshiron një luftë të ftohtë dhe Perëndimi, nga ana tjetër, nuk do të jetë në gjendje ta izolojë vendin e tij. Për Lavrovin, armëpushimi i arritur në Bjellorusi në muajin shtator nuk zgjati për shkak të mosrespektimit të vijës ndarëse, për të cilën ishte rënë dakord nga palët.

“Rusia ka bërë gjithë çfarë ishte e mundur për zgjidhjen e konfliktit dhe ruajtjen e integritetit të Ukrainës. Nuk ka asnjë provë, që të përligjë justifikimet se ushtarë apo armë ruse kanë kaluar kufirin me vendin fqinj. Ne nuk e duam dhe nuk do ta lejojmë një luftë të ftohtë të re. Partnerët tanë perëndimorë duhet ta kuptojnë, se siguria në botën e ditëve tona është e pamundur të arrihet me ndërhyrje të njëanshme apo presione. Gjithë çfarë lipset është bashkëveprimi”, tha Sergei Lavrov.

Zyrtarë ushtarakë ukrainas deklaruan më herët se dy batalione, me nga rreth 400 burra secili, kaluan kufirin të hënën. Moska i hodhi poshtë të tilla pretendime, duke i cilësuar si “haluçinacione mbi një pushtim rus”.

Në komentet e tij përpara gazetarëve, Lavrovi i mëshoi idesë së respektimit të vijës fillestare ndarëse në zonat e konfliktit, me argumentin se kjo do të ndihmojë në çtensionimin e situatës e mbrojtjen e popullsisë civile.

Në këtë mënyrë, luftimet do të reduktohen shumë shpejt, – u shpreh shefi i diplomacisë ruse. Që prej muajit prill, përplasjet e armatosura në lindje të Ukrainës mes seperatistëve dhe trupave të Kievit kanë marrë më shumë se 4.700 jetë njerëzish.

Top Channel