Trepça, përplasje pozitë-opozitë në Kuvendin e Kosovës

21/01/2015 00:00

Vazhdojnë përplasjet mes pozitës dhe opozitës sa i përket të ardhmes pronësore të ndërmarrjes Trepça.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti kritikoi ultimatumin e vënë nga minatorët për zgjidhjen e situatës brenda 24 orëve me argumentin se vendimet nuk janë të mira nëse merren nën presion të ultimatumeve.

Haliti ka qëndrim të përafërt me qeverinë, kur thotë se Trepça është pasuri e Kosovës dhe nuk do të bëhen pazare me të.

“Politika dhe vendimmarrja në politikë nuk bëhet me ultimatume dhe nuk është çështje ultimatumesh. Edhe vendimmarrja e paanalizuar mirë është e dëmshme, por edhe vendimmarrja nuk mund të merret me presionin e opinioneve dhe ultimatumeve. Trepça eshte, ta quajmë, jeta e shpirti dhe gjithçka dhe askush nuk mund të luajë me pasurinë e Kosovës, as ata që bëjnë ultimatume por as ata që mendojnë se mund ta shesin për 5 lekë Trepçën”, deklaroi Haliti.

Këto komente nënkryetari i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, në të cilën megjithatë nuk u diskutua për fatin e Trepçës. Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi paralajmëroi se kjo parti do ta mbështesë protestën e 24 janarit si përgjigje ndaj atyre që sipas saj morën vendime të dëmshme për këtë ndërmarrje.

“Sot Trepça nuk ishte pikë e rendit të ditës, por ne do të vazhdojmë të kërkojmë që përmes ligjit për ndërmarrjet publike, i cili është proçeduar dhe për të cilin jemi njoftuar, të amandamentohet çështja që lidhet me Trepçën. AAK-ja përkrah protestën dhe do të organizohemi që kjo protestë të jetë përgjigje për të gjithë ata të cilët kanë marrë vendime të dëmshme për Trepçën”, tha Bujupi.

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të premten. Në këtë seancë do të diskutohet për temën e kërkuar nga AAK-ja që ka të bëjë me migrimin e qytetarëve të Kosovës. Në të do të miratohen edhe disa ligje të rëndësishme, mes tyre ai për ndalimin e pjesëmarrjes në luftrat e huaja.

Top Channel