Dhimitër Anagnosti edhe shkrimtar

21/01/2015 00:00

Pas një sërë filmash të suksesshëm, regjisori dhe skenaristi Dhimitër Anagnosti vjen për publikun edhe si shkrimtar me romanin e tij të parë “Koburja nga Evropa”. Ky roman i konisderuar si psikologjik, ka në qendrën e tij një grua të izoluar dhe të parealizuar në Himarën e viteve ‘20.

“Në përgjithësi, gruaja në familjen shqiptare nuk ka qenë soliste, por koriste. Kemi qenë shoqëri patriarkale dhe ka qenë burri apo djali i madh ai që bënte ligjin në shtëpi. Tani gjërat janë ndryshe, komandojnë femrat. Nuk e kam bërë film pasi një film i tillë nuk do të pranohej në Kinostudion e realizmit socialist. Tani, nuk jam unë në gjendje ta bëj film, por ndoshta mund ta bëjë një kineast i ri”, thotë regjisori Dhimitër Anagnosti.

Një ngjarje pjesërisht e vërtetë, sipas Anagnostit, i cili ka shkruar edhe gjini të tjera të letërsisë, por ende të pabotuara. Në promovimin e librit ishin të pranishëm mes të tjerësh bashkëshortja e tij, aktorja Roza Anagnosti, shkrimtari Nasho Jorgaqi, ndërsa aktorët Elvira Diamanti e Florian Agalliu lexuan pjesë nga shkrimet e Anagnostit.

Sa i përket kinematografisë, skenareve dhe regjisurës, duket se kontributi i këtij kineasti, i cili ka një vend të rëndësishëm në filmografinë vendase, në të ardhmen do të jetë vetëm në ndihmë të të rinjve të fushës.

“Do të ndihmoja me skenarë regjisorët e rinj. Film? Filmi kërkon industri, gjë që nuk ekziston në Shqipëri. Duhen shpenzuar 2-3 vite për një film dhe për moshën time janë shumë”, deklaroi Anagnosti.

Top Channel