Japonia kërkon bisedime me pengmarrësit e ISIS, por s’e përmend shpërblimin

21/01/2015 00:00

Japonia ka vendosur të hyjë në bisedime me përfaqësues të ISIS, por ende nuk ka marrë një përgjigje nga grupi i militantëve islamikë nëse mund ta kenë këtë mundësi kontakti. E megjithatë, edhe sikur t’u ofrohet zyrtarëve japonezë kjo, ende nuk dihet nëse ata mund të bëjnë gjë për të shpëtuar jetët e dy pengjeve japoneze.

Afati i ultimatumit po ecën me shpejtësi. ISIS publikoi një video të martën, ku i jepte qeverisë japoneze 72 orë kohë për të paguar 200 milionë dollarë, në të kundërt Kenji Goto dhe Haruna Yukawa, ashtu siç ka ndodhur edhe me pengjet e tjera të ISIS në të kaluarën, do të ekzekutohen.

Megjithatë, kryesekretari i kabinetit të Japonisë, Yoshihide Suga, deklaroi të mërkurën se qeveria e tij ka përllogaritur afatin përfundimtar rreth orës 14:50 të së premtes, me orën japoneze (00:50 me orën tonë). Deri atëherë, zyrtarët japonezë do të përpiqen t’i shpëtojnë pengjet. Suga shtoi se qeveria e tij do të bëjë gjithçka të mundshme për të komunikuar me ISIS mbi fatet e Goto dhe Yukawa, përmes një pale të tretë, e cila mund të jetë qeveria e një tjetër shteti, apo ndonjë fis lokal.

Por, ai nuk përmendi faktin nëse Japonia do të ishte e gatshme të paguante shpërblim për fatet e dy pengjeve japonezë. Në mungesë të këtij detaji, zyrtari japonez shprehu publikisht qëndrimin e qeverisë së tij, duke përfshirë këtu mbështetjen për një paketë ndihme të propozuar me vlerë 200 mln dollarë, për të ndihmuar ata që janë duke sfiduar ISIS-in, sipas kryeministrit Shinzo Abe. Kreu i qeverisë e ka mbështetur këtë paketë ndihme si tepër të nevojshme për të ndërtuar “kapacitetet humane, infrastrukturën dhe të tjera”, gjë të cilën ISIS e ka denoncuar edhe në videon e fundit.

“Masat e Japonisë nuk synojnë absolutisht të vrasin popullin musliman, përkundër asaj që pengmarrësit pretendojnë”, tha Suga të mërkurën. “Ne i nxisim me forcë ata të mos u bëjnë keq dy shtetasve japonezë, si dhe t’i lirojnë ata menjëherë”.

Goto dhe Yukawa janë parë për herë të fundit disa muaj më parë, duke u zhdukur sërish në të njëjtën pjesë të globit të pushtuar nga luftimet. Edhe pse kishin profesione të ndryshme, ata të dy e njihnin njëri-tjetrin dhe flisnin së bashku, bën të ditur miku i Yukawa, Nobuo Kimoto.

Top Channel