Partia Demokratike Shqiptare në Maqedoni ka dhënë alarmin se në Tetovë dhe rrethinë është rritur numri i të prekurve nga sëmundjet e rënda dhe janë shtuar abortet spontane, si pasojë e ajrit të ndotur.

Partia opozitare akuzoi qeverinë e Shkupit se për interesa të ngushta po lejon që shqiptarët e Tetovës të helmohen nga ndotja e lartë e ajrit, që shkaktohet kryesisht nga një fabrikë të cilës pushteti ia vazhdoi lejen e punës për dy vite, pa përmbushur standardet ekologjike.

“Gjendja bëhet edhe më dramatike në Tetovë, duke pasur parasysh ndotjen e ajrit nga ana e “Jugohromit”. Nga statistikat zyrtare niveli i ndotjes së ajrit është me përmasa alarmante. Ndotja e ajrit me përmasa të tilla shqetësuese shkakton rritjen e dukshme të numrit të të sëmurëve nga sëmundjet e traktit respirator, kancerogjene, kardio-vaskulare e kështu me radhë”, deklaroi deputetja Merale Ferati.

PDSH i bëri thirrje qeverisë që urgjentisht të marrë masa për ndërprerjen e këtij helmimi masiv të shqiptarëve në Tetovë dhe rrethina.

“Është ministri i BDI-së i cili jo vetëm që s’ndërmerr asnjë masë, por përkundrazi me heshtjen e tij miraton këtë ndotje, gjë që tregon paaftësinë dhe nënshtrimin e tij të plotë. Si pasojë e këtij vasaliteti helmohen jo vetëm gjeneratat e tashme, por edhe gjeneratat e ardhshme”, theksoi Ferati.

Tetova llogaritet ndër qytetet më të ndotura në vend, ku prania e grimcave të dëmshme në ajër PM10, është mbi 10 herë më e lartë se norma e lejuar.

Top Channel