Pensionet e emigrantëve, Veliaj në Britani: Brenda pranëverës negociatat

21/01/2015 00:00

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj, në një intervistë dhënë për Top-Channel në Londër ka deklaruar se brenda pranëveres do të fillojnë negociatat me autoritetet britanike për çështjen e pensioneve të shqiptarëve të Britanisë, siç është vepruar me vendet e tjera të BE-së.

Veliaj, në një takim me shqiptarët e Britanisë dhe studentë të huaj në University College of London, njoftoi edhe disa iniciativa të reja punësimi në Shqipëri. Me të bisedoi korrespondenti ynë në Londër, Arben Manaj.

Arben Manaj: Zoti ministër, si qëndron çështja e emigrantëve shqiptarë në Britani dhe a kanë shanse ata të marrin pensione?

Erjon Veliaj: Komuniteti shqiptar në Britani nuk është shumë i madh, si ai në Itali dhe Greqi, por është i konsoliduar, i zëshëm dhe në pjesën më të madhe i legalizuar, sa i takon pagesës së sigurimeve shoqërore. Brenda pranëverës ne synojmë të nisim negociatat. Propozimi që ne u bëjmë vendeve me të cilat negociojmë është që të mbledhin vitet e punës, sepse nëse shtohen me ato të Shqipërisë, i kualifikon emigrantët për pension këtu dhe jepet në mënyrë proporcionale ajo pjesë që u takon. Ka shumë leverdi për emigrantët dhe më vjen mirë që me 6-7 vende i kemi mbyllur negociatat, ndërsa i kemi nisur me Gjermaninë dhe Austrinë. Do të ishte fantastike që me Italinë dhe Britaninë t’i hapnim këtë vit.

Arben Manaj: Ju propozuat që studentë shqiptarë, shqiptarë që jetojnë jashtë shtetit apo dhe të huaj të vijnë dhe të japin ekspertizën e tyrë në Shqipëri. Konkretisht, cila është ideja?

Erjon Veliaj: Ne jemi në një proces ku po transformojmë arsimin profesional, duke u fokusuar tek aftësitë që ofrojnë punë në treg dhe jo tek diplomat e 20 viteve të fundit që nuk kanë treg. Gjithashtu po shohim për njerëz me aftësi profesionale. Ne nuk mund të vazhdojmë të mësojmë se si ndërtohen autotraktorët apo industri të tjera të dështuara në Shqipëri, ndaj kemi vënë re se në shkollat ku kemi partneritet me mësues ndërkombëtarë, produktiviteti ka qenë më i lartë, nxënësit më të mirë dhe më të punësueshëm.

Top Channel