Meta-Thaçi: Shqiptarët, faktor shtetformues

21/01/2015 00:00

Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, në ditën e dytë të vizitës në Shkup ka takuar kreun e PDSH-së opozitare, Menduh Thaçin. Pas takimit, Meta tha se me bashkëbiseduesin e tij janë fokusuar në shkëmbimin e ideve që kanë të bëjnë me përpjekjet për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, si një faktor shtetformues dhe shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe të ardhmen e Maqedonisë.

“Dua të theksoj se ne mbështesim të gjitha përpjekjet e faktorit shqiptar për të forcuar stabilitetin në Maqedoni dhe në mënyrë të veçantë për integrimin e tyre në të gjitha institucionet, për realizimin e plotë dhe të përshpejtuar të MO-së dhe njëkohësisht për të shtuar mbështetjen për Maqedoninë Perëndimore, si në drejtim të buxhetit, investimeve të huaja pasi dihet që problemet sociale, sidomos ai i papunësisë është mjaft i mprehtë kryesisht për të rinjtë”, deklaroi Meta.

Nga ana e tij lideri i opozitës shqiptare ne Maqedoni shprehu shqetësimin e tij për problemet në vend. Thaçi tha se partia e tij do të jetë pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe i shprehu mirënjohje Shqipërisë për mbështetjen e saj në stabilitetin e Maqedonisë.

“Fola për shqetësimet e mia për Maqedoninë, që është në një proces të bllokimit total të dy çështjeve fondamentale që garantojnë mbiejetesën e Maqedonisë, integrimin drejt BE-së dhe NATO-s dhe cështja e raporteve ndëretnike apo realizimi i të drejtave kolektive të shqiptarëve. Nuk kam ndonjë shpresë se situata do të mund të përmirësohet shpejt, por vetëm e sigurova kryetarin e Parlamentit se PDSH-ja asnjëherë nuk do të bëhet pjesë e aventurave të pakujdesshme, qofshin politike, qofshin të tjera për shkak se jemi shumë të vetëdijshëm për barrën dhe peshën që kemi si parti opozitare për të garantuar qetësi dhe stabilitet”, tha Thaçi.

Meta është takuar edhe me liderin e opozitës maqedonase Zoran Zaev. Gjatë takimit Meta vlerësoi angazhimet e opozitës maqedonase në proceset integruese të këtij vendi.

Ndërkohë, takimi me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti u anulua për shkak të aksidentit që pësoi Ahmeti teksa po udhëtonte nga Kërçova drejt Shkupit për të takuar Metën. Liderin e BDI-së kryetari i Parlamentit e ka takuar në spitalin e Tetovës, ku Ahmeti dhe shoferi i tij ndodhen në gjendje të mirë dhe jashtë rrezikut për jetën.

“Nuk mund të mbyllja këtë vizitë në Maqedoni pa u takuar me liderin e BDI-së dhe mikun tim Ali Ahmeti. Më vjen keq që nuk ndodhi aty ku isthe planifikuar, por dihet që pikëpamjet tona janë në sintoni të plotë përsa i takon integrimit të Maqedonisë në NATO dhe për rolin e BDI-së për plotësimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë”, deklaroi Meta.

Top Channel