Dëshmitë e dy grave të dhunuara: Kur vendosëm të themi “Mjaft më!”

21/01/2015 00:00

Është gjithnjë e trishtë kur dëgjojmë shpesh herë dhe në mënyrë të vazhdueshme lajme mbi dhunën. Mbi dhunën në përgjithësi, që ushtrohet ndaj grave, femrave apo nënave, nga të dashurit apo bashkëshortët e tyre.

Fatkeqësisht është një fenomen në rritje, ashtu sikurse të gjithë jeni njohur me rastet më të fundit nëpërmjet hapësirave informative. Edhe “Pasdite në Top Channel” i ka kushtuar një hapësirë dhe vëmendje të veçantë kësaj çështjeje, ndërsa këtë të enjte janë sjellë dy histori personale të dy nënave me fëmijë, të dy femrave, të cilat edhe pse kanë kaluar një kalvar të madh vuajtjesh mbi kurrizin e tyre, edhe pse kanë qenë pre të dhunës psikologjike e fizike, kanë arritur më në fund të gjejnë forcë e guxim për të shkuar deri në fund, për të denoncuar dhe për t’iu drejtuar një qendre të posaçme.

Bëhet fjalë për një qendër shtetërore që rehabiliton të gjitha rastet e grave të dhunuara barbarisht nga bashkëshortët e tyre. Por, deri kur një grua duhet të durojë derisa t’i thotë mjaft një trajtimi të dhunshëm dhe cili është shpëtimi i tyre përpara këtij fenomeni?

TCH: A ke përjetuar ndonjëherë dhunë fizike apo psikologjike?

E dhunuara e parë: Nuk mund të them se e kam përjetuar një herë. Por gjithnjë përderisa kam qenë atje. Shumë herë.

E dhunuara e dytë: Po, shpesh herë.

TCH: Sa vite afërsisht?

E dhunuara e parë: 10 vite kam duruar dhunë fizike, psikologjike, në mënyra të ndryshme. Dhunë barbare mund të them. Edhe vetë habitem se si i kam duruar.

E dhunuara e dytë: 11 vite martesë, por edhe 11 vjet dhunë e torturë. Dhunë psikologjike dhe fizike së bashku.

TCH: Cili ka qenë rasti më ekstrem që mbani mend, që s’do e harroni kurrë?

E dhunuara e parë: Rastet e mia kanë qenë ekstreme të gjitha. Nuk kam pasur raste të ndryshme dhune, herë më të lehta e herë më të ashpra. Çdo herë ai ishte shumë i dhunshëm dhe rastet kanë qenë gjithmonë të tmerrshme. Nuk mund të veçoj një rast, por mbaj mend shumë raste. Për shembull jam rrahur me litar, apo me çfarë të kishte burri. Jam rrahur me dru dhe me çdo lloj objekti që i dilte përpara atij.

E dhunuara e dytë: Rasti më ekstrem është kur më rrahu në mënyrë barbare deri sa më ra të fiktë dhe nuk kam ndierë asnjë pranë. Vetëm dëgjoja fëmijët që thoshin “vdiq mami” e më kishin hipur mbi vete. Në momentin që mua më kaloi gjendja e të fiktit dhe jam qetësuar, kam gjetur fëmijët që ishin pa ndienja. Atë moment nuk do ta harroj kurrë.

TCH: Për çfarë arsye ju dhunonte?

E dhunuara e parë: Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë arsye, për të cilën vërtet t’ia vlente të ziheshe. Problemi ishte se ai person kishte prirje të tjera dhe nuk dinte se ku t’i shfrynte problemet e tij, ndaj unë isha ajo që duhet t’i mbaja mbi shpinë. Unë isha 6-muajshe shtatzënë. Jam rrahur për vdekje, ndërsa rastësisht kam dëgjuar komshinjtë e tij të trokisnin te dera. Vetëm atëherë më ka lëshuar, pavarësisht se isha shtatzënë, unë kam parë vdekjen me sytë e mi. Falë komshinjve kam shpëtuar dhe pas 10 ditësh munda të bëja denoncim.

E dhunuara e dytë: Ai donte të tregonte se ishte burri në shtëpi dhe se nuk lejonte dikë tjetër, qoftë edhe femër, që t’i jepte atij urdhra. Donte të ishte vetëm dhe nuk i interesonte për njeri në botë.

TCH: Kur ka qenë hera e parë që ju keni denoncuar në polici dhunën?

E dhunuara e parë: Për herë të parë unë kam denoncuar para 6 vitesh dhe atëherë isha nënë e dy fëmijëve. E kam denoncuar, kam shkuar drejt procesit të divorcit dhe prapë jam rikthyer sepse bënte si i pafajshëm apo si i penduar. Më thoshte se do të ndryshonte për hir të fëmijëve, pasi kishim 2 fëmijë bashkë. Megjithatë, ishin edhe kushtet e mentaliteti andej nga vij unë, duke pasur parasysh paragjykimet për ndarjen nga burri, që më bënë të rikthehesha.

E dhunuara e dytë: Përpara 6 vitesh e kam denoncuar për herë të parë dhe gjykata vendosi të më jepte “urdhër mbrojtjeje”, unë të qëndroja në shtëpi dhe ai të largohej nga banesa. Por ai e theu këtë urdhër mbrojtjeje dhe hyri nga dritarja, më kërcënoi me kaçavida dhe thikë, më nxorri me zor për të më çuar në komisariat, në mënyrë që unë të tërhiqja denoncimin dhe të rrija me të, të vazhdoja të jetoja. Edhe pas kësaj, ai vazhdonte të ushtronte dhunë ndaj meje, madje edhe më të ashpër dhe më të rrezikshme. Sërish përpara 3 vitesh e denoncova në polici, ndërsa gjykata nuk mund të merrte të njëjtin vendim, pasi ishte shkelur njëherë “urdhri i mbrojtjes” dhe ekzistonte frika se ai do ta bënte sërish. Ndaj u largova unë për të shkuar te prindërit, ku kam qëndruar për një vit. Atje erdhën bashkëshorti dhe familjarë të tij, kërkuan falje dhe thanë që gjithçka kishte ndodhur të lihej pas krahëve, duke premtuar se nuk do të ndodhte më. Me këtë bindje mora fëmijët dhe u ktheva te bashkëshorti.

TCH: Familja të mbështeti gjatë kësaj kohe, po njerëzit e tu të afërt?

E dhunuara e parë: Fillimisht po, më thonin që të mos kthehesha, sepse ai ashtu ishte “gatuar” dhe nuk do të ndryshonte. Arsyeja që u ktheva ishte fakti që unë e doja atë person, por edhe fëmijët. Mund të pranoja çfarë thoshte familja, por fëmijët do të qëndronin me të. Unë nuk e shoh dot jetën pa fëmijët, ndaj dhe u ktheva. Me t’u kthyer linda edhe djalin e tretë. Shkova sërish te familja ime, sepse më dhunoi, më kërcënoi, ndenja 6 muaj atje. Ndërkohë vijonin kërcënimet prej tij për t’u rikthyer… U ktheva sërish, mbeta shtatzënë me fëmijën e katërt dhe kur isha 6-muajshe shtatzënë ndodhi ajo që tregova më sipër, kur u rraha dhe u dhunova për vdekje.

E dhunuara e dytë: Babai dhe dy vëllezërit më këshillonin që më mirë të rrija me ta, sepse ai e kishte bërë rrugë dhe mund të ndodhnin sërish këto gjëra. Më thonin që t’ia lija fëmijët atij dhe të qëndroja me ta, babai u tregua i gatshëm të më mbante në shtëpi, duke më thënë që isha vajza e tij. Por unë nuk mund ta merrja atë vendim për t’i larguar fëmijët e për t’ia dhënë atij. Absolutisht. Të gjitha sakrificat i kisha bërë vetëm për hir të atyre 3 fëmijëve.

TCH: Kur e more vendimin përfundimtar, që të denoncoje këtë dhunë, të merrje “urdhër mbrojtjeje” dhe të mos ktheheshe më pas…?

E dhunuara e parë: Rasti i fundit ishte ai kur unë isha shtatzënë. Nga dhuna që përjetova, nga tmerri dhe frika, nga ankthi i paparë, vendosa që ta denoncoja duke qenë shtatzënë 6-muajshe. Policia më ka ndihmuar dhe më ka orientuar, sepse nuk e kam ditur që ekziston një “urdhër mbrojtjeje” apo një qendër rehabilitimi, dhe unë arrita ta merrja një urdhër të tillë. Urdhri i parë ishte i menjëhershëm për dy javë, më pas mora një tjetër urdhër për një vit.

TCH: Pastaj ti ke kërkuar një tjetër “urdhër mbrojtjeje”, ndërkohë që gjendeshe në qendrën e rehabilitimit?

E dhunuara e parë: Po, e kam kërkuar një të tillë, sepse ai vazhdonte të më kërcënonte. Ne kishim një telefon me vete, që e mbante goca, kurse ai kërcënonte me jetë si nëpërmjet telefonit, edhe në prani të gjyqtarit. Mendova se ishte i domosdoshëm “urdhri i mbrojtjes”. Nuk kisha ç’të bëja tjetër.

E dhunuara e dytë: Ky ishte rasti i tretë që merrja “urdhër mbrojtjeje”. E vendosa, e denoncova dhe thashë që do e merrja atë vendim për të mos u kthyer kurrë më pas. Dhuna atje ishte e vazhdueshme dhe nuk mund ta përballoja më. Nga aty më lindi forca e guximi për t’i thënë mjaft më.

TCH: Gjatë qëndrimit tënd në këtë qendër, ku ka edhe gra të tjera të dhunuara, ndryshoi koncepti yt që duhej ta kishe denoncuar më parë?

E dhunuara e parë: Nisa të mendoj se si kam mundur të duroj herën e parë. Si kam duruar të tilla vuajtje dhe të tilla tortura. Po ta dija që ekziston një qendër rehabilitimi, një qendër që të ndihmon të integrohesh, do ta kisha bërë shumë më herët. Do e kisha denoncuar dhe do isha drejtuar këtu ku jam sot. Është një qendër që të ndihmon shumë.

E dhunuara e dytë: E mendoj ndryshe, kjo për shkak se jam më e qetë dhe tani po më jepet mundësia të integrohem e t’i marr gjërat më shtruar. Nuk kam ditur kurrë nëse funksiononte apo ekzistonte një qendër e tillë për të tilla raste, sepse po ta kisha ditur, nuk do kisha pritur kaq shumë kurrë. Rikthimi im me atë ka qenë gjithnjë në dëmin tim dhe me më shumë vuajtje për mua. Unë kam vuajtur, por me rikthimin tim, jeta më është vështirësuar edhe më shumë. E mora vesh ekzistencën e kësaj qendre vetëm kur isha në gjykatë, më thanë ndërkohë që po më pyeste gjyqtari dhe po përlotesha. Pyesja se ku do të shkoja unë me tre fëmijë, do të mbeteshin në rrugë? Gjyqtari më tha se do të shkonim në një qendër shtetërore, ku ai besonte se do të ndiheshim më mirë e do të qetësoheshim.

TCH: E mendon momentin kur do të dalësh nga qendra, kur të mbarojë “urdhri i mbrojtjes”? Atëherë kur do të të duhet të përballesh me jetën dhe të rrisësh fëmijët…? Ke forca për ta përballuar gjithë këtë?

E dhunuara e parë: Më mirë e vetme, se sa me një njeri të atillë. Kam shumë forca, dua të punoj për fëmijët e mi dhe t’i rris e qetë ata. Nuk është as në të mirën e tyre, që të rriten me një baba të tillë. Pavarësisht se unë jam kundër ndarjes së familjeve, them se me një baba të tillë nuk ia vlen. Nuk është se fëmijët kanë përjetuar ditë të mira e të bukura, përkundrazi, kanë përjetuar ankth të paparë. Kështu që më mirë të rriten me mua, pasi kështu nuk do të kenë probleme. Nëse ushtrohet dhunë në familje, në prani të fëmijëve, edhe ata do të kenë probleme, nuk mund të rriten të shëndetshëm.

E dhunuara e dytë: E mendoj shpesh herë dhe për këtë nuk gjej qetësi. E them këtë pasi nuk e di se ku mund të shkoj, kam tre fëmijë: njërin 11 vjeç, një vajzë 9 vjeçe dhe djalin e vogël 3 vjeç. Nuk e di se si do t’ia bëj. Me një pagë 13 mijë lekëshe në rrobaqepësi, nuk e kam idenë se si do t’ia dal.

TCH: Rikthimin te bashkëshorti yt e mendon?

E dhunuara e dytë: Kurrë, absolutisht. Nuk do ta bëja sërish diçka të tillë. Përse të vdes tek e fundit?

TCH: Do kishe ndonjë mesazh për ato femra, që përjetojnë dhunë në familjet e tyre? Çfarë do t’u thoje atyre?

E dhunuara e parë: Në radhë të parë ato duhet ta duan veten e ta vlerësojnë vetëveten. Të denoncojnë, sepse ekziston një qendër shtetërore rehabilitimi dhe që i ndihmon shumë në mirërritjen e edukimin e fëmijëve të tyre. Ta denoncojnë dhe të mos heshtin. Sa më shpejtë, aq më mirë për ato.

E dhunuara e dytë: Mesazhi im është që ato të gjejnë forcën, të kenë guxim dhe t’i thonë “mjaft dhunës”. Do jetë një e ardhme më e mirë për to. Nuk durohet vetëm dhunë… Do vijë gjithnjë një ditë më e mirë.

Top Channel