Kukan: Zvarritja e “21 janarit”, sinjal i keq. Drejtësi para negociatave

21/01/2015 00:00

Eduard Kukan deklaron se zvarritja e çështjes së “21 janarit” është një sinjal i keq. Ndjekës-raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian thotë në një intervistë për TCH, se duhet bërë drejtësi dhe kjo sipas tij duhet të ndodhë para hapjes së negociatave të anëtarësimit.

Kukan thekson se Parlamenti Europian do të vijojë t’ua kërkojë këtë gjë autoriteteve të Tiranës. Po ashtu, ai thotë se shpreson që negociatat të nisin brenda këtij viti, por Shqipëria sipas tij duhet të konfirmojë një mjedis të ri politik. Me zotin Kukan bisedoi gazetarja Arta Tozaj.

TCH: Zoti Kukan, 4 vjet nga protesta e 21 janarit ku u vranë katër vetë dhe ende nuk është bërë drejtësi. Pra, gjërat në Shqipëri ende nuk janë në rregull, siç thoni ju. Si mund të ndihmojë Parlamenti Europian për këtë dhe kur mund të hapen kapitujt e bisedimeve të anëtarësimit për drejtësinë?

Kukan:
E vërteta është se për të ecur përpara, Shqipëria duhet të ketë rekorde të pastra, veçanërisht mbi zhvillimet politike. Ajo që ndodhi më 21 janar 4 vjetë më parë duhet ndjekur e hetuar dhe duhet bërë drejtësi. Fakti se po zvarritet kaq shumë është sinjal i keq. Parlamenti Europian mund ta përmendë, të apelojë, ose thjesht të kërkojë ndaj ekzekutivit shqiptar gjatë takimeve ndërparlamentare, që një gjë e tillë nevojitet të ndreqet përpara se Shqipëria të vijojë përpara në procesin e anëtarësimit me shpejtësi të plotë. Jam i bindur se delegacioni kur të takohet do ta përmendë këtë. Për të qenë i sinqertë, jam pak i befasuar që po merr kaq kohë, pasi pati ndryshim qeverie në Shqipëri dhe situata është njësoj. Prandaj jam i sigurt se anëtarët e Parlamentit Europian e kanë ende në memorje. Ata nuk e kanë harruar dhe historia është mjaft e rëndësishme për vendin. Kështu që jam i bindur se do ta përmendin, me shpresë se gjërat do të korrigjojnë çfarë ndodhi atëherë. Përsa i takon të ardhmes europiane të Shqipërisë..

TCH: Pas ndërhyrjes tuaj, opozita u kthye në Parlament, tani çfarë shqetësimesh keni? Çfarë mbetet për t’u bërë në vend?

Kukan: Për vendin mbetet për t’u bërë çfarë qëndronte mbi tryezë përpara: dialogu normal politik, komunikimi normal i partive politike, diskutimi mbi 5 përparësitë kyçe të Komisionit. Pra, asgjë e re. Gjithçka ishte në axhendë aty, duhet punuar së bashku nga partitë në qeveri dhe opozitë. Neve na duhet një konfirmim se mjedisi i ri pozitiv politik në Shqipëri është i qëndrueshëm dhe se ngjarjet e rëndësishme të parashikuara në të ardhmen, si për shembull zgjedhjet lokale, do të mbahen në mënyrë demokratike. Më duhet ta theksoj se ne nuk presim që politikanët të përqafojnë njëri-tjetrin sa herë takohen. Diskutimet mund të jenë dramatike ndonjëherë, sepse secila palë do të ndjekë interesat e veta politike, por mbi të gjitha duhet të kenë parasysh të ardhmen e vendit. Unë do të prisja prej tyre që sa herë të kenë probleme, t’i zgjidhnin vetë. Nuk mendoj se jepet sinjal i mirë nga Shqipëria që sa herë hasin në vështirësi u drejtohen për ndihmë ndërkombëtarëve. Ne jemi të gatshëm për këtë, por ne presim atë nivel dialogu që do t’i zgjidhte gjithë këto çështje. Përsa i takon anëtarësimit të Shqipërisë në BE, së pari vendi duhet të marrë datën për çeljen e negociatave. Humori për Shqipërinë në Parlamentin Europian është mjaft pozitiv, për mua. Prandaj, nëse ne marrim informacionin për 2-3 muaj mbi situatën e ndryshuar politike, se partitë politike diskutojnë, sidomos mbi axhendën europiane, çfarë është më e rëndësishme, atëherë më duket realist mendimi për të marrë datën, dhe…

TCH: Ju prisni që data për negociatat të merret këtë vit?

Kukan: Më ndërpreve. Ata (në Shqipëri) presin një datë e unë pres që negociatat e anëtarësimit të nisin këtë vit. E di se jam aventurier kur përmend të tilla data, sepse asnjëherë nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë, por e them këtë me shumë “nëse”. Nëse kultura politike, nëse gjërat zgjidhen përmes dialogut politik, atëherë do të ishte realiste pritshmëria për Shqipërinë që të nisë negociatat deri në fund të këtij viti.

TCH: A do të përfshihet sërish Parlamenti Europian me Shqipërinë mbi dekriminalizimin, administrimin zgjedhor, apo për shqetësime të tjera të opozitës lidhur me drejtësinë e pavarësinë e institucioneve?

Kukan: U arrit një marrëveshje më 24 dhjetor. Rezoluta u miratua njëzëri nga Parlamenti dhe të gjitha këto çështje përfshihen aty. Parlamenti Europian, sidomos zoti Flackenstein si raportues, do ndjekë nga afër nëse çështjet e përmendura aty, që u negociuan me shumë vështirësi por e rëndësishme është që u arrit rezultati, do të zbatohen në praktikë. Vetëm atëherë mund të thuhet se pati një zgjidhje të mirë të situatës. Ne duhet të ndjekim se si këto çështje do të përkthehen në terren.

Top Channel