Pse po vonon drejtësia për katër viktimat?

21/01/2015 00:00

Skënder Minxhozi, gazetar, kryeredaktor i revistës ‘Java’ dhe bashkëpunëtor i Top Channel, dha mendimin e tij për 21 janarin, duke deklaruar se “përgjegjësitë penale vijojnë të mbeten pothuajse të pazbardhura” 4 vjet pas ngjarjes.

Ilir Paço: Një koment i juaji, si një gazetar që e keni prekur shumë 21 janarin si atëherë dhe në vitet që pasuan. Ku jemi sot me këtë çështje?

Skënder Minxhozi: Është një pyetje e vjetër që nuk merr përgjigje. Nga pikëpamja juridike, jemi pothuajse aty ku ishim në mbrëmjen e 21 janarit. Është penguar Prokuroria të hetojë, është marrë një konsulencë e huaj nga FBI-ja, mbi të është vendosur në mënyrë hileqare një gjoja hetim nga ana e organeve hetimore shqiptare, por janë ngatërruar hetimet për të humbur gjurmët e përgjegjësive. Përgjegjësitë penale vijojnë të mbeten thuajse të pazbardhura.

Ilir Paço: Drejtësia e munguar katër vjet pas ngjarjes, ku e vini ju gishtin për përgjegjësinë?

Skënder Minxhozi: Në një shtet ligjor, drejtësinë e bën sistemi që është zgjedhur për të bërë drejtësi. Të gjitha shkallët e tij, sot janë defiçitare në raport me 21 janarin. Kanë përgjegjësi të skajshme. Ajo që e bën skandaloze është fakti se gjithçka deformohet dhe përdoret politikisht nga vetë institucionet e drejtësisë.

Ilir Paço: Zoti Rama, në opozitë ka premtuar gjithmonë se të gjithë përgjegjësit, përfshirë zotin Berisha, do të përballeshin me drejtësinë. Ndërkohë, siç janë zhvilluar deri tani ngjarjet, a mendoni se drejtësia do të vendoset?

Skënder Minxhozi: Zoti Rama ka sot të tjera raporte me ngjarjen. Atëherë ishte kreu i opozitës dhe shteti zgjodhi të vriste njerëz. Rama ka marrë masa shtensionimi, nuk kemi atë gardh ku u vranë njerëz, në protesta nuk dalin gardistë me skafandra…
Por, përgjegjësia politike e Ramës është që të zbardhë ngjarjen. Cdo 21 janar që kalon bëhet e vështirë nga ana morale për t’u përballuar nga mazhoranca. Është mirë që të kemi një qeveri që, ashtu siç ka premtuar, të jetë e përgjegjshme për të zbardhur atë që ka ndodhur. Kjo është edhe një kërkesë nga Europa. Pra, Europa e mban mend 21 janarin, ndërsa ne kam frikë se kemi filluar ta harrojmë.

Top Channel