Poroshenko braktis Davosin: Rusia ka 9000 trupa në Ukrainë, a s’është agresion?

21/01/2015 00:00

Rusia ka më shumë se 9000 ushtarë dhe 500 tanke, artileri të rëndë dhe transportues të blinduar personeli në lindje të Ukrainës, ka bërë të ditur Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, pavarësisht se Rusia mohon vazhdimisht pretendimet se ushtarët e saj po luftojnë në krah të rebelëve në rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut.

Moska ndërkohë e sfidoi Poroshenkon të prezantonte fakte për të provuar akuzat e tij, por në ndihmë të tij ka dalë NATO, që deklaroi se sasia e mjeteve të rënda ushtarake të përdorura nga trupat ruse në lindje të Ukrainës është rritur së tepërmi. Bisedimet për uljen e tensioneve dhe dhënien fund të krizës priten të nisin në Berlin, ku ministrat e Jashtëm nga Ukraina, Rusia, Franca dhe Gjermania do të marrin pjesë në takimin, që vetëm një ditë më parë u tha se ishte kërkuar nga vetë Poroshenko.
 
Duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ku edhe siguroi mbështetjen e shefes së FMN-së për ndihma ekstra financiare për Kievin, Presidenti Poroshenko tha se trupat ruse në lindje të Ukrainës mbështeten nga armë të rënda, përfshi tanket dhe sisteme të artilerisë së rëndë. “Nëse ky nuk është agresion, atëherë më shpjegoni çfarë është agresioni?”, u kërkoi të pranishmëve Poroshenko.

Ai bëri thirrje gjithashtu ndaj Rusisë t’i përmbahet marrëveshjes së armëpushimit të arritur në shtator në Minsk të Bjellorusisë. Ajo marrëveshje përcaktonte tërheqjen e armëve të rënda nga të dyja palët nga vija e ndarjes së luftës, si dhe të shkëmbeheshin të burgosurit. Sipas saj, përcaktohej gjithashtu se kontrolli i kufirit ruso-ukrainas, pjesë të të cilit janë duke u kontrolluar nga rebelët prorusë, duhej t’i ktheheshin autoriteteve të Ukrainës.

“Zgjidhja është shumë e thjeshtë: ndal furnizimin me armatime, tërhiq trupat ushtarake dhe mbyll kufirin. Nëse doni të diskutoni për diçka ndryshe nga kjo, atëherë kjo nënkupton se ju nuk dëshironi të uleni për bisedime paqeje, por për luftë”, deklaroi Presidenti ukrainas. Poroshenko theksoi se do të largohej më herët nga sa ishte parashikuar nga vizita e Davosit, për t’u rikthyer në Kiev për shkak të përkeqësimit të situatës në lindje të vendit.

Më shumë se 4800 persona janë vrarë dhe rreth 1.2 milionë të tillë janë larguar nga pjesët lindore të vendit, që kur rebelët morën kontrollin e Luhanskut dhe Donjeckut në prill të vitit të kaluar, veprim që erdhi pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Top Channel