9 vjet nga vdekja, homazhe Ibrahim Rugovës

21/01/2015 00:00

Për herë të parë qeveria e Kosovës, në mënyrë të organizuar nderon figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke bërë homazhe në përvjetorin e vdekjes së tij.

Pas mbledhjes së qeverisë, kryeministri Isa Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Hashim Thaçi dhe disa ministra, vendosi një kurorë lulesh tek përmendorja e Ibrahim Rugovës, në sheshin që mban të njëjtin emër në kryeqytet.

“Qeveria e Kosovës, pa dallim nga përbërja partiake, ka respekt për veprën e presidentit Rugova dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar për shtetin dhe pavarësinë tonë. Unë i jam mirënjohës për këtë dhe ndjej respekt”, u shpreh Mustafa.

Në këtë nderim të veçantë nuk morën pjesë ministrat nga radhët e Listës Serbe dhe disa ministra të PDK-së. Por zëvendëskryeministri Thaçi e vlerësoi maksimalisht figurën e ish-presidentit kosovar.

“Sot, ne kujtojmë me pietet të lartë figurën dhe personalitetin e presidentit Rugova, si institucione, si shtet dhe si qytetarë të Republikës së Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Në kuadër të aktiviteve në nder të figurën së presidentit të ndjerë më herët LDK organizoi edhe një akademi përkujtimore. Kryeministri Mustafa, duke folur për “filozofinë rugoviane” e krahasoi Rugovën me liderët e mëdhenj në botë si Martin Luter King, Nelson Mandela dhe Gandi.

Mustafa tha se është fati ynë që presidenti i parë i Kosovës shëmbellën fuqishëm me këto figura, të cilat janë dhe do të mbeten simbole të shkëlqyera të humanizmit, të dashurisë dhe të paqes me njerezve e popujve.

Top Channel